Gjonaj takime me banorë të Njësisë 7 në Tiranë: Mandati i tretë që reformat të mos ndalen

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kandidatja për deputete e PS në Tiranë, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka vijuar turin e takimeve elektorale në Njësinë 7 në kryeqytet.

Pas takimeve të kufizuara me banorët e njësisë, dy javët e fundit, Gjonaj ka zhvilluar takime komunitare në mjedise të hapura me më shumë zgjedhës duke diskutuar me ta për çka është bërë dhe çka do të vijohet të bëhet për të përmirësuar jetën e zgjedhësve.

Mandati i tretë nuk është dëshirë për kolltuk pushteti, theksoi ajo, mandati i tretë është nevojë që punët të ecin përpara, që reformat të mos ndalen, që ndërthurja, lidhja me njerëzit të mos këputet nga ata që dje ishin në qeveri dhe kur dolën në opozitën ua braktisën votën, siç u tregua kur braktisën zgjedhjet dhe dolën nga Kuvendi.

“Kurrkush më mirë se ne nuk mundet të vazhdojë e të çojë përpara atë çka u nis, u ndërpre apo u pengua për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Pikërisht këto dy fatkeqësi të papritura na shtojnë ndërgjegjësimin për të kryer çfarë nisëm e çfarë na doli në mes të udhës tonë të përbashkët me qytetarët tanë. Zgjedhjet dhe vota për Partinë Socialiste janë mision, janë shprehje vullnetplotë e angazhimeve dhe përgjegjësive janë bindshmëri për të qenë krah për krah me çdo të metë dhe meritë që buron dhe rrjedh për dhe nga qytetarët. Fushata po ecën ritmikisht dhe ne socialistët kemi dëshmuar që nuk shkojmë askund pa një plan të qartë, pa program apo me ide të cunguara”, shtoi Gjonaj.

Ajo nënvizoi se “mesazhet që marrim nga zgjedhësit janë më shumë se thjesht mbështetës”.

“Padyshim që ajo që kemi bërë për drejtësinë nuk mund të harrohet, sepse edhe nëse e anashkaloj unë për një çast, janë qytetarët që e kujtojnë. Pikërisht përparësitë e PS-së, janë pra kjo reformë, lufta kundër korrupsionit, krimit, krimit të organizuar, moria e politikave shoqërore, që kemi nisur dhe dhe duam t’i vazhdojmë e t’i përfundojmë, rindërtimi dhe pandemia dhe padyshim lidhen ngushtësisht edhe me mua”, deklaroi ministrja.

“Misioni i madh i Partisë Socialiste është të reformojë Shqipërinë dhe të ndërtojmë një vend europian në standarde, pasi paraardhësit tanë e lanë vetëm gjeografikisht pjesë të saj. Oferta jonë politike është kryekëput e ndryshme nga ajo e kundërshtarëve tanë në zgjedhje”, theksoi Gjonaj.

“Reforma në Drejtësi dhe jetësimi i saj ka qenë gjatë këtyre 4 viteve një sfidë jetike për të ardhmen e drejtësisë, një luftë e përditshme, ku gjithmonë kanë qenë dy palë, si dy botë, ne në krah të kësaj reforme dhe që e kemi mbrojtur dhe mbështetur fort dhe pala tjetër që e ka penguar, e ka bllokuar, e ka goditur me çka kanë mundur dhe si kanë mundur.  Dhe janë këta pala tjetër, që janë bashkuar të gjithë në një kontratë politike dhe interesash për zgjedhjet e ardhshme, por më shumë sesa 25 prilli, i bën bashkë frika ndaj Reformës në Drejtësi. Këto 4 vjet të vështirë për ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë na kanë mësuar dhe na kanë treguar se sa i kalbur dhe i kapur ishte sistemi i drejtësisë dhe se lufta për të bërë drejtësinë ia ka vlejtur”, deklaroi Gjonaj.

Ajo shtoi se “sot themi me plot bindjen se sistemi i ri i drejtësisë bazohet në një kuadër kushtetues dhe ligjor të plotë të miratuara 4 vite më parë, që shmang çdo ndikim politik në funksionimin e gjyqësorit. Ky kuadër ligjor u fuqizua dhe më shumë përmes ndryshimeve të sjella nga paketa ANTIKÇK, për të goditur edhe me thellë fenomenet korruptive që kanë ngërthyer jo pak herë gjyqësorin. Të gjitha këto, vetëm për të mbajtur të fortë, e për ta shpëtuar drejtësinë e gangrenizuar nga gjyqtarë e pushtetarë të korruptuar, të cilët e përdorën sistemin në funksion të të fortit dhe jo të drejtësisë”.

“Në fillim, shumëkush mendonte se gjyqtarët dhe prokurorët ishin imunë, por ja që pastrimi i pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të lidhur apo që vepronin në favor të krimit, po realizohet dita ditës. 358 gjyqtarë dhe prokurorë janë vetuar deri tani dhe 201 prej tyre janë shkarkuar apo larguar nga organet e Vetingut, institucione tërësisht funksionale, tërësisht të pavarura të cilët e kryejnë këtë proces së bashku me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Me krenari sot mund të themi se të gjitha institucionet e reja të sistemit të drejtësisë janë tërësisht të ngritura dhe funksionale dhe kanë dhënë prova me rezultate konkrete. Kjo është ajo që i them zgjedhësve, as më shumë e as më pak, ata do të kenë të njëjtin përkushtim dhe këmbëngulje siç kemi treguar me çdo reformë të nisur për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Gjonaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.