FOTOGALERI-Vaksinimi masiv i +60 vjeç në sheshin “Skënderbej”/ Qytetarët për ATSH: Ndihemi të çliruar, të gjithë duhet të vaksinohen

TIRANË, 13 prill /ATSH – B. Naska/ Në sheshin “Skënderbej” ka nisur vaksinimi antikovid i moshave +60 vjeç.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër këtë proces ku interesi i qytetarëve ka qenë  i lartë për të bërë vaksinën, e cila është arma e vetme për të luftuar virusin gjithashtu dhe zbatimi i masave antikovid është përsëri i domosdoshëm.

Qytetarët shprehen të lumtur që erdhi kjo ditë dhe tashmë më të mbrojtur për t’iu rikthyer sadopak normalitetit.

“Më në fund erdhi edhe dita që të mund të bëjmë edhe vaksinën. Erdha me qejf të madh që të bëj vaksinën, madje që të gjithë duhet t’a bëjmë atë, sepse viti që kaloi ishte vërtetë, vërtetë i lodhshëm për të gjithë”, tha një qytetare për ATSH-në.

Një tjetër qytetar për ATSH u shpreh, “më në fund erdhi edhe kjo ditë që mezi e kemi pritur. Kjo është një vaksinë që shpëton jo vetëm jetën tonë, por edhe të gjithë të tjerëve, pasi është një sëmundje që nuk e di kurrë se nga të vjen. E hoqëm këtë fazë të vështirë vetëm me bërjen e vaksinave. Kush arrin që ta kuptojë, arrin të shpëtojë jetën e vet dhe të të tjerëve. Ma merr mendja që tani do të jemi më të sigurt, megjithëse duhet sërish të ruhemi shumë, sepse asnjëherë nuk i dihet. Kush ka logjikë duhet patjetër që ta bëjë vaksinën, ndërsa kush nuk do është i lirë të mos e bëjë, por që të gjithë duhet të vaksinohen”.

“Në fillim këtë proces e nisi mjeku i lagjes i cili me regjistroi emrin këtu edhe e dërgoi. Erdhëm këtu, u regjistruam, mbajtëm radhë dhe nuk u vonuan fare për ta bërë vaksinën. Vaksina që bëra ishte ajo kineze. Kam shumë besim dhe mendoj që të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen. Përveç të rriturit duhet të vaksinohen edhe fëmijët. Unë në dhjetor kam kaluar kovidin dhe kam vuajtur, por megjithatë sërish erdha për t’a bërë vaksinën. Ishte e nevojshme pasi këtë periudhë e kemi kaluar të bllokuar dhe duhet të dalim jashtë me në fund. Tani me bërjen e vaksinës ndihem vërtet shumë e mbrojtur”, u shpreh një qytetare.

Një tjetër qytetare tha se, “jam shumë e kënaqur. Mesi e kemi pritur këtë ditë që më në fund u realizua dhe jemi shumë mirë. Gjithçka shkoi në mënyrë perfekte. Si fillim na lajmëroi mjeku i familjes. Si çdo gjë tjetër edhe kjo ka procedurat e veta, por që gjithçka shkoj shumë mirë, sepse nuk pati vonesa. Kur kujtojmë atë që kemi kaluar themi që shyqyr që më në fund u realizua edhe ëndrra jonë për të bërë vaksinën. Kur kujtojmë atë periudhë që kemi kaluar të mbyllur brenda, larg fëmijëve dhe larg njerëzve të dashur ishte vërtet shumë e vështirë dhe stresuese. Tani në këtë moment jemi vërtet shumë të kënaqur. Mezi presim që t’i kthehemi sërish normalitetit, të shkojmë dhe të vizitojmë fëmijët pasi qëndronim larg dhe as na vinin, as nuk mund të shkonim. Në këtë periudhë ka pasur edhe shumë informacione dhe teori konspirative, gjë që asnjëherë nuk i kam besuar apo të ndikohem prej tyre. Me në fund ia arritën dhe i bëj thirrje të gjithëve ta bëjnë vaksinën. Kryeministri ka bërë punë të madhe duke siguruar vaksinat pasi BE nuk na ka dhënë mbështetjen që duhet ndaj duhet të jemi shumë falënderues ndaj tij”.

Një 66-vjeçar i cili sapo kishte bërë vaksinën tha për ATSH-në se, “shkoj shumë mirë sipas radhës dhe po presim 20 minuta tani. Ne dëgjojmë mjekësinë dhe i besojmë. Kemi një vit që jemi të mbyllur dhe tani është një shpresë. Duhet bërë patjetër. Pas një muaj do vij sërish për dozën e dytë”.

Një tjetër qytetare tha se, “e kam kërkuar vetë që ta bëj dhe më ndihmoi mjeku i familjes. Jemi më të sigurt tani që do të na ndihmojë. Pas bërjes së dozës së dytë të dalim të takohemi dhe të përqafohemi me njerëzit. Edhe të rinjtë duhet ta bëjnë, sepse gjithë bota po e bën. Numri është në ulje këto ditë, sepse e ka ndihmuar ky proces. Është merita e qeverisë dhe ne gjithashtu që e besojmë. Jemi të lumtur dhe entuziastë. Ishte si një çlirim për ne bërja e vaksinës. E gjithë shoqëria ime mezi pret ta bëjë vaksinën”.

“Kishte vërtetë një rregull dhe disiplina që tek regjistrimi. Ishte gjithçka e përsosur dhe duhet ta bëjmë të gjithë vaksinën. Jeta dhe shëndeti është mbi të gjitha. Do t’i kthehemi më në fund jetës normale. Po tregohet shumë kujdes dhe do takohemi në plazhe tashmë që të shijojmë gjithçka duke e hedhur pas atë që na ndodhi”, u shpreh një 69-vjeçar.

Në të gjithë vendin që prej nisjes së fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh” deri më sot janë kryer 267 531 vaksinime. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.