FOTOGALERI-Restaurimi i xhamisë së Et’hem Beut/ Myftiu i Tiranës për ATSH: U ruajt origjinaliteti i afreskeve

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Xhamisë së Et’hem Beut Tiranë e ndërtuar në 1820, një ndër më të bukurat në Shqipëri i është rikthyer shkëlqimi pas një pune restauruese të jashtëzakonshme për të rizbuluar këtë thesar trashëgimie.

Kjo xhami e cila tashmë është kthyer në krejt shkëlqimin e vet, sot është vendi ideal për besimtarët myslimanë në nisjen e Muajit të Madh të Ramazanit.

Myftiu i Tiranës, Lauren Luli duke treguar detaje nga projekti i restaurimit tha për ATSH-në se dolën në pah elementë që me kohën kishin pasur edhe dëmtime dhe kishin qenë të mbuluar.

“Xhamia e Et’hem Beut nuk është objekt vetëm i besimtarëve myslimanë, por i të gjithë shqiptarëve. Është një nga xhamitë e vetme në vend që i ka rezistuar periudhave të ndryshme, përfshirë atë të komunizmit. Është xhamia e quajtur më e reja nga të gjitha të tjerat që kanë qenë. Ajo është ndërtuar në vitin 1820. Që atëherë ajo ka qenë funksionale, përjashto periudhën komuniste. E veçanta e kësaj xhamie janë muralet që ndodhen brenda saj: afreske, estetika që simbolizojnë edhe një objekt fetar shqiptar. Ne kërkuam që në fillim që të ruheshin elementët dhe kërkesa jonë është respektuar. Gjithashtu nga ky restaurim dolën në pah elementë që me kohën kishin pasur edhe dëmtime dhe kishin qenë të mbuluara”, tha Myftiu për ATSH-në.

“Pjesa më e madhe e xhamisë është e mbuluar me shkrime të Kur’anit, 99 emrat e Zotit ndodhen në kubenë e xhamisë. Edhe mbi dritare ka shkrime të rëndësishme dhe thënie profetike. Simbolikë tjetër e rëndësishme është edhe foltorja ku kleriku mban çdo të premte shërbesën fetare. Në brendësi të objektit është edhe ballkoni i faltores së grave, që edhe kjo sikurse foltorja, janë prej druri dhe është ruajtur me shumë kujdes i njëjti material pa u tjetërsuar. Ka pasur shumë dëmtime, deri në degradim, dhe janë hequr disa shtresa të lyera me bojë dhe nga lyerja me gëlqere të bardhë tashmë është kthyer ngjyra kafe, sikurse ka qenë edhe ngjyra origjinale. Kjo xhami është ringjallur me gjithë origjinalitetin e vet”, u shpreh për ATSH-në Myftiu i Tiranës, Lauren Luli.

Ndërhyrja tërësore në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë është financuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit, TIKA.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njeri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.