“Dje hyrja në universitet ishte pazar i madh, sot sipas meritës”/ Sjellim universitete të huaja në Shqipëri

TIRANË, 13 prill/ ATSH / “Për të hyrë dje në universitet ishte një pazar i madh, ku vlente mbiemri apo pasuria, ndërsa sot falë reformës së ndërmarrë nga Partia Socialiste, hyrja në universitet është sipas meritës dhe objektivi i radhës është integrimi i universiteteve të njohura të huaja me ato vendase, që të rinjtë shqiptare të shkollohen në Shqipëri në të njëjtën mënyrë sikurse ta bënin këtë jashtë kufirit tonë”.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Përrenjas, tha se kjo është e mundur dhe prandaj duhet të vazhdojmë së bashku.

“Prindërit sot nuk kanë nevojë të kenë një mbiemër të njohur, nuk kanë nevojë të jenë të pasur. Nuk kanë nevojë të kenë lidhje krushqie me politikanë për ti çuar fëmijët në Universitet, aty ku çdo fëmijë e meriton sipas rezultateve që kanë, falë mundimit që ka bërë. Deri dje, hyrja në universitet ishte një pazar i madh. Deri dje vendet kryesore në fakultetet më të kërkuara, i zinin ata që kishin mbiemër të njohur apo ata që kishin prindër të pasur, i zinin ata, që kishin lidhje me politikën. Sot, me reformën tonë dhe sistemin e ri të hyrjes në universitet, prej disa vitesh s’ka më asnjë ankesë, por s’ka më dhe asnjë mundësi që fëmijën e një çobani në mal, kur e meriton t’ia parakalojë fëmija e një deputeti apo ministri që nuk e meriton. Të gjithë hyjnë në universitet sot sipas meritës. Ndërkohë, për të gjithë, ne po transformojmë të gjithë infrastrukturën e konvikteve, të universiteteve dhe ndërkohë nuk është mjaft”, – theksoi Rama.

“Unë dëshiroj e do të bëjë çmos në vitet që kemi përpara për të sjellë universitete të huaja në Shqipëri, për t’i integruar me universitetet tona, për të bërë të mundur që vajzat dhe djemtë të këtij vendi, të mos kenë nevojë të ikin jashtë vendit për të shkuar në një universitet të huaj, por ta gjejnë atë universitet këtu në Shqipëri. Të studiojnë me programet e atij universiteti dhe të marrin një diplomë nga ai universitet, kjo është plotësisht e mundur dhe këtë do ta bëjmë së bashku. Prandaj fëmijët e prindërit, vajzat e djemtë që duan të kenë një perspektivë për të studiuar këtu në nivelet më të larta të studimeve të shkollimit me cilësinë më të mirë, më 25 prill nuk duhet të thonë, varja se këta janë të gjithë njësoj. Po të ishim ne të gjithë njësoj, edhe Shqipëria sot do ishte njësoj”, – vijoi Rama.

“Edhe Përrenjasi do ishte njësoj, sikurse kur vinim para disa vitesh, nuk dinim ku të ndalonim, se në çdo hap ishte një gropë. Natyrisht, që sot Përrenjasi është më i mirë se dje, por Përrenjasi nesër patjetër që do të duhet të jetë shumë më i mirë se sot dhe prandaj jemi këtu. Dhe prandaj duhet të vazhdojmë së bashku”, – bëri apel Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.