COVID-19 – Mbi një milion viktima në Europë

PARIS, 13 prill /ATSH-AFP/ – Europa ka regjistruar më shumë se një milion vdekje nga COVID-19, që nga zbulimi i tij në Kinë në dhjetor 2019, sipas raportimeve të siguruara nga autoritetet shëndetësore.

Vendet dhe territoret e rajonit kanë një total prej të paktën 1 000 288 viktimash (për 46 496 560 raste), përpara Amerikës Latine dhe Karaibeve (832 577 vdekje, 26 261 006 raste), SHBA/Kanadasë (585 428 vdekje, 32 269 104 raste), Azisë (285 824 vdekje, 19 656 223 raste), Lindjes së Mesme (119 104 vdekje, 7 011 552 raste), Afrikës (115 779 vdekje, 4 354 663 raste) dhe Oqeanisë (1 006 vdekje, 40 348 raste).

Europa i kaloi 500 000 vdekjet më 17 dhjetor 2020, 11 muaj pas regjistrimit të vdekjes së parë në Kinës në janar 2020.

Që nga fundi i marsit 2021, kurba e vdekjeve është stabilizuar.

Në raport me popullsinë, vendet më të prekura në botë janë ato europiane: Republika Çeke është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve, me 261 vdekje për 100 000 banorë, e ndjekur nga Hungaria (245) dhe Bosnjë-Hercegovina (228).

Vdekjet e regjistruara në Europë përfaqësojnë më shumë se një të tretën e 2,94 milionë viktimave të pandemisë që janë regjistruar në të gjithë botën, për më shumë se 136 milionë raste të diagnostikuara që nga fillimi i pandemisë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.