Beci publikon detaje nga projekti për investimet transformuese në Shirokë dhe Zogaj: E kthejnë zonën në pol të turizmit shqiptar

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kandidati për deputet i PS-së në Shkodër, Benet Beci ka premtuar investime transformuese në Shirokë dhe Zogaj.

Beci thekson se këto investime do ta kthejnë zonën në një pol të turizmit shqiptar që do të krijojë më shumë ekonomi e punësim për të gjithë Shkodrën.

“Një lajm i mirë konfirmimi i nominimit të sheshit të Shirokës për çmimin prestigjoz të arkitekturës Europiane Mie Van des Rohes për vitin 2022. Do të jetë një reklamë shumë e mirë për Shkodrën e Shirokën. Puna për këtë projekt ka nisur që në vitet 2017-2018, me një konceptim të gjerë të të gjithë bregut perëndimor të liqenit dhe pastaj me detajimin e ndërhyrjeve, ku sheshi i Shirokës është vetëm ndërhyrja e parë”, shprehet Beci.

“Kam mësuar shumë nga bashkëpunimi me arkitektin e projektit, Jesus Hernandez, me të cilin bashkëpunojmë prej 7 vitesh për projekte të ndryshme për Shkodrën. Projektet për transformimin e bregut të liqenit janë financuar nga qeveria shqiptare, investimi në Shirokë ka qenë 100 % i qeverisë shqiptare dhe projektet që hapim tani do të financohen nga një kredi e BERZH (e cila merret dhe kthehet nga qeveria shqiptare) që bashkëfinancohet nga një grant i BE. I gjithë ky proces është menaxhuar dhe menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, një agjenci e specializuar e qeverisë e përqendruar në menaxhimin e investimeve publike”, shton ai.

Beci ka publikuar edhe një video përmbledhëse e disa prej ndërhyrjeve të parashikuara në Shirokë e Zogaj.

“Janë me të vërtetë transformuese e do ta kthejnë zonën në një pol të turizmit shqiptar që do të krijojë më shumë ekonomi e punësim për të gjithë Shkodrën”, deklaron Beci.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.