Basha premton lekë, lekë, lekë, lekë, ndërsa unë them punë, punë, punë, punë

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Lulzim Basha premton në fushatë lekë, si Xhaferri dikur premtonte “më jep një, të jap dy”, ndërkohë që ai vetë premton punë.

Duke folur gjatë një takimi me qytetarë të njësisë 1 në kryeqytet, Rama foli për premtimet e Bashës gjatë fushatës së zgjedhjeve bashkiake në vitin 2011.

“Erioni përmendi disa gjëra lidhur me çfarë nuk bëri Luli kur ishte kryetar bashkie. Unë sot u kujtova disa të rinjve në Librazhd dhe po jua kujtoj edhe juve, se ju jeni këtu, për ju nuk është një histori televizori, për ju është historia e 4 viteve si qytetarë të bashkisë së Tiranës”, tha Rama.

“Kur Lulzim Basha doli në atë garë premtonte nënë e babë kur thonë, dhe më kujtohen dy premtime spektakolare: ‘Do të ndërtoj tramvajin e Tiranës dhe do të ul çmimin e bukës’. Ishin premtime të bëra pa iu dridhur qerpiku i syrit. Madje duke bërë të njëjtën gjë që bën edhe sot, kur shkon takon njerëzit thotë “kam ardhur të të shikoj sy më sy dhe të të them që do vij prapë sy më sy. Sy më sy në dyqanet e bukës, duke kapur bukën dhe duke thënë, “unë do ta ul çmimin e bukës dhe do t’ju shoh prapë sy më sy””, tha Rama.

Në fakt, theksoi Rama, “pasi, e mori si e mori kjo është temë tjetër, por pasi e mori të drejtën që të hyjë në bashkinë e Tiranës, sytë e tij nuk panë më askënd, sepse u mbyllën për gjumë”.

“Dhe ajo çka pësoi Tirana, dhe ajo çka pësuan të gjithë qytetarët e Tiranës ishin 4 vjet të humbura, 4 vjet në të cilat Tirana filloi të rikthehej tek plehrat që s’pastroheshin, tek gropat që hapeshin kudo, tek shkollat që nuk mirëmbaheshin, tek çerdhet dhe kopshtet që u katandisën në pikë të hallit. Pa folur këtu për trafikun, pa folur këtu për investime të tjera më të mëdha, se është gjynah edhe t’ia kërkosh”, u shpreh ai.

“Çfarë thotë sot? Dëgjojeni çfarë thotë sot: Lekë, lekë, lekë, lekë, lekë. Të gjithëve iu premton lekë, kudo. Me makina, me buri, me flamuj, me dy gishta, lekë, lekë, lekë. Ndërsa unë them punë, punë, punë, punë”, tha Rama.

“E nuk është e vështirë për asnjë nga ata që nuk kanë qenë të vegjël fare, se këtu ka dhe disa që kanë qenë fare të vegjël në ato vite, për ta kujtuar kohën kur ishte një Xhaferr me makina, me bori, me njerëz që e shoqëronin karvan më karvan dhe të tjerë që i dilnin atje nëpër rrugë dhe e prisnin me këngë. Dhe çfarë premtonte Xhaferri? Lekë, lekë, lekë, lekë dhe iu thoshte, më jepni një t’ju jap dy, më jepni një t’ju jap dy. Çfarë thotë sot Luli? Të njëjtën gjë që iu thoshte Xhaferri: Lekë, lekë, lekë, lekë. Më jepni një votë t’ju jap kaq lekë, më jepni një votë t’ju jap kaq lekë. Më jepni një votë t’ju jap kaq mijë euro sa të dilni nga barku i nënës. Me jepni një votë t’ju jap kaq mijë euro sa të çoni fëmijën tuaj në shkollë. Më jepni një votë, t’ju jap kaq mijë euro, t’ju jap dhe shtëpi sapo të martoheni. Më jepni një votë, më jepni një votë, t’ju jap lekë, lekë, lekë. Kush ju premton lekë nuk ju jep jo lekë, por ju jep mbrapsht të dy ato gishtat mu në të dy bebet e syrit”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, shtoi Kryeministri, “kush premton punë, jo duke thënë unë do ju jap punë dhe për vete duke fjetur gjumë, por duke punuar pa pushim, atëherë kur ke një punë vijnë dhe lekët. Kurse kur shkon pas premtimit të lekëve jo puna që s’vjen, por humbet edhe lekët që ke. Se lekë të tjera s’merr”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.