Basha në Farkë: 100 % financim të tarifave bachelor dhe master, 1 vit stazh i paguar

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka biseduar me të rinj në zonën e Farkës në Tiranë, për problemet që i shqetësojnë.

Ai shpjegoi programin e qeverisë së tij të ardhshme, ku tha se si përgjegjësi kryesore ka ndalimin e emigrimit të të rinjve, anulimin e ligjit për arsimin e lartë dhe krijimin e mundësive që asnjë i ri shqiptar të mos mbetet i pashkolluar.

“Kjo plagë nuk ndalet me llafe, nuk ndalet me premtime boshe nga ato që kemi dëgjuar gjatë këtyre 8 viteve. Kjo plagë ndalet duke marrë veprime të vendosura siç do të jetë vendimi im i parë për të anuluar ligjin për arsimin e lartë dhe për të kthyer universitetet shqiptare në qendra të trajnimit dual, ku mos të ketë bijë dhe bir shqiptari që të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes së vet. Me këto masa, do të mundësoj që çdo i ri, çdo e re që dëshiron të ndjekë universitetin dhe të marrë një profesion, t’i mundësohet kjo dhe jo thjesht një diplomë por një profesion”, – u shpreh Basha.

“Nëse vini nga familje të cilat nuk kanë më shumë se 640 mijë lekë të vjetra në muaj të ardhura, shteti do të paguaj 100 % tarifën tuaj për bachelor dhe për master dhe nga kjo masë do të përfitojnë 90 % e studentëve shqiptarë sepse për fat të keq aktualisht 90% e familjeve shqiptare që çojnë apo duan që të çojnë fëmijët e tyre për studime kanë ta ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Për të gjithë të tjerët që vijnë nga familje mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të subvencionohet 50 % të tarifave për bachelor dhe master”, – tha Basha.

Kreu i opozitës shpjegoi edhe mënyrë e trajnimit DUAL, e cila do t’u mundësojë studentëve stazhe të paguara nga shteti dhe krijimin e lidhjes me tregun e punës me paga dinjitoze. Ai gjithashtu tha se ndryshimin nuk ka marifet që e ndal më 25 prill, duke iu referuar lajmit të djeshëm për vjedhjen e informacioneve personale të qytetarëve.

“Pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete. Ty si gjimnaziste do të ofrojë mundësinë të zgjedhësh degën e preferuar në një universitet i cili do të ndihmohet nga qeveria shqiptare dhe nga Bashkimi Europian, që atë degë ti të përvetësosh profesionin tënd, jo thjeshtë përmes mësimit teorik por edhe përmes praktikës. Ne do të synojmë që brenda një kohe të shkurtër gjysma e kohës së studimeve të jetë de facto, faktikisht, praktikë. Nuk ka rëndësi nëse po studion juridik apo ekonomi, shëndetësi apo inxhinieri, gjysma e kohës do të jetë praktikë dhe në fund të studimeve për 10 mijë më të mirët do të ketë një stazh 12-mujor me një pagesë minimale 30 mijë lekë të vjetra në muaj që të mundësojë që ju të shkoni nga auditori te tregu i punës me një udhërrëfim, me një hartë rruge, siç është stazhi, siç është praktika. Dhe ne e dimë se kur ndodhë kjo 9 në 10 studentë të sapodiplomuar gjejnë vendin e punës. Kam folur për këtë gjerësisht këtë mëngjes me më të mirët në botë që janë Gjermanët. Janë ata që futën praktikën e trajnimit DUAL i thonë, gjysmë teori, gjysmë praktikë dhe kam garancinë dhe mbështetjen e një prej organizatave më të fuqishme që do të na mbështesin pas zgjedhjeve. E vetmja gjë që kërkuan është që gjërat në Shqipëri të ndryshojnë, e vetmja gjë që kërkuan është që të ketë një qeveri tek e cila të kenë besim, sepse 8 vite me radhë ata nuk kanë pasur besim tek kjo qeveri”, – tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.