Ata e duan Shqipërinë për pushtetin, ne duam pushtetin për Shqipërinë

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Përrenjas, tha se ka një ndryshim mes kësaj mazhorance dhe opozitës, e cila kur nuk ka pushtetin është e gatshme ta djegë Shqipërinë, ndërsa kur ka pushtetin është një luftë për të kapur “plaçkën”, Shqipërinë.

Rama tha se fitorja e Partisë Socialiste më 25 prill, është një fitore që çon përpara drejtësinë dhe digjitalizimin.

“Ne ju kemi sjell këtu, një vajzë e cila s’ka nevojë për prezantim. Një vajzë e cila  mishëron gjithçka të virtytshme, gjithçka që e bënë këtë komunitet njerëzish, një komunitet njerëzish dinjitoz. Ju sjell një vajzë dinjitoze, që jo thjesht ka një histori të dhimbshme në familjen e vet, por që është pasuese e bindur dhe besimplotë e amanetit të të atit. Është një nga shembujt, besoj unë më kuptimplotë të vullnetit tonë për ta çuar deri në fund luftën për drejtësi”, – tha Rama.

“E po të ishte aq e lehtë lufta për drejtësi dhe Reforma në Drejtësi po të ishte një fjalë goje, apo thjesht një miratim aktesh ligjore, ohu, jo ne, por shumë vende të ngjashme me ne, do të ishin bërë sa hap e mbyll sytë. Mos harroni që Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Greqia po të doni, nuk janë bërë as për tre, as për katër, as për pesë,  apo shtatë vite dhe deri para shtatë vitesh nuk jetonin në errësirë se i vidhnin dritat e njëri-tjetrit, apo nuk jetonin në etje se shpërdoronin ujin e njëri-tjetrit”, – tha Rama.

“Lajmi i mirë është që ne s’na duhen dekada dhe shekuj për të arritur aty ku duam, por na duhet një pasion i madh atdhedashës, na duhet vetëm një këmbëngulje e madhe qytetare dhe na duhet një bashkim i madh njerëzish që duan tja dalin dhe duan të arrijnë aty ku duhet, sepse është koha e teknologjisë. Është koha kur shteti po transformohet i gjithi nga një mal zyrash e sportelesh po t’i mbledhësh të gjitha bashkë bëhen sa Himalajet, në një sistem që është në telefonin tuaj. Është në kompjuterin tuaj, është ende për tu ndërtuar deri në fund. Por nuk duhen dekada”, – shton Rama.

“Duhen dhe pak vital që përfundimisht secili, çdo qytetar shqiptarë ta ketë shtetin në xhep. Ta ketë hipotekën në xhep, ta ketë çdo shërbim që merret në sportele në xhep dhe most e ketë nevojë të lëvizi fare nga shtëpia. Por thjesht dhe vetëm apliko dhe merr mbrapa atë që kërkon si shërbim dhe ky është fundi i rryshfetit, i korrupsionit, i torturave dhe që vazhdojnë sot e gjithë ditën dhe pse më pak se më parë, por që gjithnjë bëhen e më shumë të padurueshme, nëpër ato zyra ku njerëzit kërkojnë shërbimin. Është fundi. Tani pyetja është e thjeshtë! Do të luftojmë ti japim fund duke e çuar deri në fund ndërtimin e këtij sistemi, apo do të kthehemi mbrapa dhe do kthehemi mbrapa tek një histori e vjetër, ku do filloj nga e para sulmi për të kapur vendet e punës ku janë e ku s’janë, për të vënë kushërinj e krushqinë, për të pushtuar dhe njëherë nga e para plaçkën, Shqipërinë si plaçkë”, – vijon Rama.

“Ka një ndryshim të madh mes nesh dhe atyre. Ata e duan Shqipërinë për pushtetin. Kur nuk kanë pushtetin, ata nuk lënë dy gurë bashkë. Kur nuk kanë pushtetin, ata janë gati ta djegin Shqipërinë nga e para dhe i keni parë sa rrëmuja. I keni parë sa sherre, i keni parë sa shfaqje të dhunshme dhe të shëmtuara kanë dhënë në gjithë këto vite dhe pse tani në fund i kanë thënë dhëndrit ti vetëm buzëqesh dhe premto se pastaj, po e more nusen, ti do shkosh tek shtëpia të flesh gjumë se e dimë ne se çfarë i bëjmë plaçkës. Ndërkohë që është e paimagjinueshme të biesh pre e kësaj loje që duket 1000 km larg”, – thekson Rama.

“Prandaj, mos e harroni: Ne nuk e duam Shqipërinë për pushtetin, por duam që pushteti të jetë për Shqipërinë. Ne duam që shtetit të jetë për shqiptarët dhe kemi bërë, jo sa kemi dashur, por sa kemi mundur, por çdo që kemi mundur se kemi lënë pa bërë”, – përfundoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.