3-fishuam numrin e vajzave dhe djemve që hynë në arsimin profesional

TIRANË, 13 prill/ATSH/ “Shqetësimi im më i madh është që të mos jetë e nevojshme të arrish deri tek kryeministri, ministri, deputeti, apo dikush që i njeh këta për të zgjidhur ato halla të jetës së përditshme që mbeten pa zgjidhur për shkak se administrata nuk i zgjidh”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë të qytetit të Librazhdit, në kuadër të turit elektoral për zgjedhjet e 25 prillit.

Këtu, kryeministri solli në vëmendje punën e bërë drejt dixhitalizimit të shërbimeve, e konkretisht u ndal te dhënia e lejeve për të lëvizur për qytetarët gjatë kufizimit të lëvizjeve për shkak të pandemisë.

“Sa shumë është bërë deri këtu. Sa shumë shërbime sot jepen e merren online. Sa shumë njerëz në momentin kur u mbyllëm do të duhej të dilnin. Imagjino sikur të mos ishte mundësia që lejet e daljeve të mos merreshin nga telefoni. Sa shumë njerëz kanë marrë sot shërbimet online, të cilat deri dje merreshin vetëm në sportele”, tha Rama.

Kryeministri këtu solli në vëmendje radhët në shi e të ftohtë për të paguar dritat.

“Nuk janë më dhe si ato nuk janë më shumë radha të tjera. Janë qindra-mijëra vite pritje në radhë të kursyera. Por ka ende plot njerëz që nuk arrijnë ta marrin hipotekën në moment, ndeshen me murin shurdh e qorr të zyrave e sporteleve. Pyetja e thjeshtë shtrohet: çfarë duhet të bëjmë? Duhet ta çojmë deri në fund ndërtimin e krejt këtij sistemi që fut shtetin në telefonin tënd, që ti të gjesh shtetin në pasqyrën e telefonit tënd, madje edhe kur je jashtë vendit”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas tij, këto vite kanë treguar se jo vetëm është e mundur, por kjo është duke u bërë.

“Pyetja është shumë e thjeshtë. Do të vazhdojmë deri në fund, apo do kthemi përsëri mbrapa e do të përjetojmë një tjetër uragan sulmi mbi zyrat e vendet e punës që sot merren përmes një sistemi që garanton meritën përmes konkurrencës dhe siguron transparencën që bën që askush të mos parakalojë dikë tjetër me shtysën e mikut, a partisë”, theksoi ai.

Do përjetojmë, shtroi pyetjen kryeministri, një uragan tjetër mbi sistemin e hyrjes në Universitete?

“Sot falë sistemit që po ndërtojmë çdokush, çdo vajzë apo çdo djalë shkon në universitet sipas meritës dhe nuk ka asnjë dallim mes një djali apo vajze të një çobani nga një djalë apo vajzë i ministri apo politikani. Është rezultati që vendos dhe jo rastësisht prej disa vitesh nuk ka asnjë ankesë të vetme kur bëhet hyrja në universitet. Ndërkohë shumë kush nga ju këtu që jeni student e dini mirë se çfarë eksperiencash të pafundme të hidhura keni dëgjuar për se si një shoku apo shoqe me të gjitha 10, që ka bërë të gjitha mundimet për të marrë një vend në mjekësi apo diku tjetër, i dilte përpara një tjetër vetëm se kishte babain të pasur apo politikan”, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se deri dje ne jetonin në një vend ku mundimet e mëdha të prindërve të kthyera në në kursime për të çuar fëmijët në Universitet shkonin kot.

“Bashkë me mundimet e fëmijëve që shkonin në universitet, falë prindërve që paguanin në Universitete fantazëm, pa llogaritur edhe pagat e korrupsionit të tmerrshëm dhe në fund fare një diplomë pa vlerë dhe pas diplomës një tjetër vajzë e djalë në kafene, në pritje të një të ardhmeje që nuk kishte nga të vinte”, deklaroi ai

Ndaj, theksoi Kryeministri, ne kemi 3-fishuar numrin e vajzave dhe djemve që hynë në arsimin profesional.

“Vendosëm sistemin e rekrutimit sipas meritës të mësuesve, përgjysmuam tarifat për studentet investuam në infrastrukturën e konvikteve e universiteteve. Por a mjafton a mjafton. Nëse këto gjëra që nuk u bënë me dhjetëra vite, si do të mund të bëheshin kaq shpejt? Atëherë ne do të ishim magjistarë. As Gjermania, Franca, Belgjika apo Italia nuk i kanë bërë ato gjëra që ne shohim sot sa hap e mbyll sytë, duke i rënë shkurt përveç se duke mishëruar së bashku forcën e karakterit të kombit të tyre, duke qenë së bashku të vendosur për të arritur aty ku kanë vendosur si qëllim të përbashkët të arrijnë”, deklaroi Kryeministri.

Më tej Rama iu drejtua sot nga Librazhdi të gjithë qytetarëve duke iu kujtuar se sot ata janë para një zgjedhjeje shumë të qartë.

Rama u ndal në programin e Partisë Demokratike dhe premtimet e kreut të kësaj partie, Lulzim Bashës, duke kujtuar kohën kur ai ishte në krye të bashkisë së Tiranës. Sipas tij, programi i PD-së është “më jep një, të të jap dy”.

“Luli kur kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës bëri shumë premtime, dy prej tyre tramvaji i Tiranës dhe uljen e çmimit të bukës, ashtu sikundër premtoi heqjen e taksave për të gjithë qytetarët e Tiranës”, tha Rama.

Rama pasi kujtoi se si kreu i PD-së fitoi bashkinë e Tiranës, tha se ai fjeti gjumë 4 vjet.

“Pasi hyri si hyri në Bashkinë e Tiranës, fjeti gjumë për katër vjet. Çfarë zgjedhje është kjo? Midis një rruge që po e hapim çdo ditë me shumë sforco dhe durim. Në mes të rrugës na janë futur dy monstra, tërmeti dhe pandemia“, u shpreh ai.

Sipas Ramës, Basha po del nëpër Shqipëri dhe bën sikur takohet spontanisht me disa njerëz që mezi po presin që t’i shpëtojë e t’i mbajë këtu, e më pas ulet e tregon këmbë mbi këmbë përralla me mbret.

“Keni parë ju miqtë e mi, nënën tuaj apo babain tuaj t’i bëjë punët këmbë mbi këmbë? Keni parë ju që këmbë mbi këmbë të tregojnë sa e lehtë është rruga?” – tha Kryeministri.

Prindërit tuaj, iu drejtua Rama të rinjve, e mbajnë mend shumë mirë që me makina e bori e muzikë ishte një Xhaferr që shkonte nëpër Shqipëri, se ai thoshte “më jep një, të jap dy”.

Këta nën udhëheqjen e Saliut, shpreh Rama, e futën çdo shqiptar në lojën e marrë të të ardhmes së vet duke i krijuar iluzionin se “jep një, merr dy”, rri në kafe se u bë Shqipëria.

Sfida që kemi marrë përsipër, u shpreh Kryeministri, është e vështirë. Se po të ishte e lehtë, tha ai, do ta kishin bërë ata para nesh.

“Po të ishte e lehtë të ndërtohej shteti i së drejtës, bëhej Reforma në Drejtësi e gjykatat, prokuroritë të ishin të njerëzve të zakonshëm, jo atyre që gjithë jetën e kanë kontrolluar. Po të ishte e lehtë që Shqipëria të bëhej fuqi eksportuese neto e energjisë, siç unë dua të bëhet e do të bëhet, mjafton që ne të vazhdojmë rrugën, do e kishin bërë të tjerët para nesh”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.