Volumi i mallrave të transportuara me tragete në portin e Durrësit shënon rritje prej 16 %

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Volumi i mallrave të transportuar me tragete nga dhe drejt portit të Durrësit gjatë 3-mujorit të parë të 2021-it është rritur me 16 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Rritje prej përkatësisht 22 % dhe 3 % kanë regjistruar edhe shifrat e kamionëve dhe autoveturave, që kanë shfrytëzuar tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e kthim.

Nga të dhënat statistikore në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se tragetet kanë transportuar rreth 221 mijë tonë mallra gjithsej, dhe se sasia më e madhe është shënuar në hyrje në portin më të madh të vendit.

Që nga fillimi i këtij viti tragetet kanë kryer 214 lundrime vajtje-ardhje, ose 12 lundrime më shumë se sa në 3-mujorin e vitit 2020, ndërsa shifra e udhëtarëve që kanë frekuentuar tragetet ka arritur në rreth 80 mijë gjithsej, ose 17 % më pak se vitin e kaluar.

Megjithë rritjen graduale gjatë muajit mars, shifrat e udhëtarëve me tragete mbeten të ulëta si pasojë e kufizimeve nga pandemia, që u vendos për shkak të COVID-19.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.