Veliaj në Rrogozhinë: PS e vetmja që mban premtimet; Investimet me të njëjtën cilësi si në Tiranë edhe në rrethe

TIRANË, 12 prill /ATSH/ “Partia Socialiste është e vetmja parti që mban premtimet”. Kështu tha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga Rrogozhina, gjatë takimit me banorët e zonës.

“Partia Socialiste mbajti premtimin për naftën pa akcizë, për naftën pa tatime, për naftën pa TVSH për të gjithë ata që punojnë në bujqësi sepse nuk mbushte traktori me të njëjtin çmim si makina”, u shpreh Veliaj.

Drejtuesi politik i PS-së për Tiranën u shpreh se vendi ka nevojë t’i rikthehet normalitetit, pas vështirësive që kaloi si me tërmetin ashtu edhe me pandeminë.

“Kemi nevojë për një vend normal, për një vend ku presidenti i Republikës nuk çmendet edhe rrihet me policët bashkiak. Kemi nevojë për një vend normal ku për punë të partisë ti nuk rrezikon jetën e njerëzve duke braktisur kullën, kemi nevojë për një vend normal ku politika është mjet për ti ndihmuar njerëzit jo për ti përçarë njerëzit. Kemi nevojë që të vazhdojmë në normalitet vaksinimi deri tek shqiptari i fundit tani që kanë ardhur vaksinat dhe kemi nevojë për një vend normal deri sa të ngrihet edhe kulmi i shtëpisë së fundit që u prish nga tërmeti, ky është normaliteti që duam”, theksoi ai.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Socialiste ka për qëllim që Rrogozhina të ketë të njëjtat investime me të njëjtën cilësi dhe kushte moderne siç po bëhet me shkollat, kopshtet, çerdhet, qendrat shëndetësore, etj., në Tiranë.

“Qendra Shëndetësore e Rrogozhinës nuk dallonte fare nga një qendër shëndetësore kudo në Europë. Në mes të Rrogozhinës ku pensionistët, gjyshet, gjyshërit po vaksinoheshin, kjo është cilësia dhe kjo është ambicia jonë që t’i kemi të gjitha infrastrukturat në Rrogozhinë si qendra shëndetësore model e Rrogozhinës”, tha Veliaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.