Veliaj: Databaza e publikuar një tabelë exceli e manipulueshme; zbuloi që Fahri Balliu voton LSI

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se databaza e publikuar në disa media, është një tabelë exceli e manipulueshme. I ftuar në “Real Story” në “News 24”, Veliaj tha se Partia Socialiste, si çdo parti tjetër e madhe kudo në botë, ka informacion mbi listat e zgjedhësve.

“Të gjitha partitë kanë një databazë. Kam parë vetëm fotografi të diçkaje që në pamje të parë nuk është databaza jonë. Por që s’ka asnjë dyshim që partitë serioze e marrin listën e zgjedhësve dhe mundohen të krijojnë sa më shumë kontakte, qoftë për mënyrën se si komunikojnë me elektoratin. Informacioni mbi listën zgjedhore është një mundësi për të komunikuar”, u shpreh Veliaj.

“Portali opozitar nuk na ka ofruar databazën që mund ta verifikojmë. Ka prodhuar një tabelë excel e cila është diçka e manipulueshme. Po të kishte ndonjë interes këta e conin të gjithën në Prokurori. Në momentin që kjo kthehet në një lojë për kë voton filan analist që ështe me LSI dhe jo me PD, kjo është e gjitha një thashathmnajë nga ato tipike që ka parë Tirana”, vijoi ai.

“Prandaj, kush e ka le ta cojë në Prokurori, ne nuk bëjmë dot gjykatësin. Me cfarë pashë ishte një tabelë exeli e manipulueshme e cila mund të vendosë te emri yt cilindo nga koalicionet. E gjitha një lojë. Sapo doli vjedhja e votave të LSI në Pukë, doli tabela e exelit dhe gjëja më e madhe ishte që Fahri Balliu votonte LSI dhe jo PD,” tha Veliaj.

Nga ana tjetër, ai shtoi se kriminale është ajo që parti të vogla si LSI bëjnë me blerjen e votës.

“Është tjetër gjë databaza e asaj që u kap në Pukë, që ishte listë pagesë dhe jo listë zgjedhësish. Flasim për dy botë të ndryshme. Flasim për një parti që bën një fushatë inteligjente dhe për një parti që në fakt shkon e blen listën e zgjedhësve,” u shpreh Veliaj. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.