“Vaksinimi masiv, kontribut në rënien e infektimeve”/ Mjeku infeksionist Stroni: Të vijojmë respektimin e masave

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Mjeku infeksionist Gent Stroni tha sot se rënia e numrit të infektimeve në të gjithë Shqipërinë është kontribut edhe i vaksinimit antikovid.

Në një intervistë televizive Stroni tha se “vaksinimi i mirë i personelit shëndetësor bën të mundur që mos të transmetohet ky lloj virusi te personat e tjerë”.

“Mos harroni që janë pikërisht këta persona që arrijnë ta transmetojnë nga një pacient tek një i afërm, tek një person i dytë, por ndërprerja e këtij zinxhiri nëpërmjet vaksinimit do të thotë shumë”, u shpreh Stroni.

Stroni tha se “me gëzim e them që kemi një rënie drastike të të shtruarve në spital”.

“Moshat që vijnë në spitale janë të ndryshme. Gjithë problematika qëndron kush prej tyre mund ta suportojë dhe kush prej tyre mundet të humbasë jetën ose ta kalojë më rëndë. Ata të cilët nuk arrijnë dot të përballen me këtë lloj sëmundje janë pikërisht moshat e kaluara”, vijoi mjeku.

Sipas tij, është ende herët për të hequr dorë nga kujdesi.

“Parashikoj që do të kemi një luhatje dhe një vazhdimësi ndoshta jo me numra të lartë, por le të shpresojmë që bashkë me verën të na ikë një pjesë e mirë e problemeve që kemi me këtë sëmundje. Unë do thosha që në këtë moment jemi akoma shpejt për të hequr dorë nga pjesa e kujdesit qoftë edhe maskën, qoftë edhe distancimin”, – nënvizoi Stroni.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.