U bënë vite që në universitet fëmija i një çobani hyn falë meritës para fëmijës së një deputeti

TIRANË, 12 prill/ATSH/ “Vota më 25 prill nuk është thjesht çështje personale, por e një gjykimi me peshë të madhe për fatin e vendit”, deklaroi Kryeministri Edi Rama nga Cërriku.

“Shqipëria mund dhe do të bëhet shtëpia ku çdo vajzë e djalë të jetë krenar jo vetëm për historinë e traditën tij familjare, por për kushtet e asaj shtëpie. Vajtja jashtë të bëhet një zgjedhje e lirë, jo e detyruar. Kjo është e mundur, por duhet punë, durim e kohë“, tha Rama.

Kryeministri u ktheu përgjigje edhe qytetarëve që shkruajnë nga vende të zhvilluara në të cilat sot jetojnë.

“Ata që komentojnë nuk duhet ta harrojnë se në ato vende të zhvilluara, Gjermani, Britani Francë, etj., nuk vidheshin dritat, apo uji deri para pak vitesh, nuk ishin gjykatësit e prokurorët zotër të fateve. Ato vende janë bërë me dekada e shekuj. Ne nuk kemi nevojë për shekuj e dekada, sepse bota ka ndryshuar. Ne na duhet vetëm kjo dekadë ku kemi hyrë, na duhet të mos kthehemi prapa e të mos bëjmë si me Gurin e Sizifit. Ne mund ta bëjmë Shqipërinë gur të rëndë në vendin e vet në këtë rajon, e ne do ta bëjmë”, deklaroi Rama.

Vota e 25 prillit, shtoi Rama, “është për të vijuar në rrugën që kemi hapur, që të mos kthehemi në tmerret e një sistemi arsimi, ku fëmija e një prindi pa lekë apo që jeton diku në zonat rurale nuk kishte shansin që ka sot që të shkonte në universitet në bazë të meritës e të mos parakalohej nga djali i ministrit, deputetit apo biznesmenit”.

“U bënë vite që në universitet fëmija i një çobani kalon e hyn falë meritës së vet para fëmijës së një deputeti. E pra këto janë arritje që nuk duhen humbur. Ne do të punojmë që të sjellim universitete të huaja në Shqipëri, që të kenë të njëjtat programe e diploma”, theksoi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.