Transformimi i Vlorës, Gjiknuri: PS i dha vëmendjen e munguar

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri takoi një grup banorësh të Rajonit 1 në afërsi të qendrës historike të Vlorës me të cilët konsumoi kafen e mëngjesit.

Në fjalën e tij, Gjiknuri u ndal në projektet e parashikuara për Rajonin 1 në këtë mandat të tretë qeverisës, projekte të cilat do të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të zonës dhe në rritjen e cilësisë së jetesës për banorët.

“Përpara 8 viteve, Vlora nisi ndryshimin madhor me investimet të cilat do të vijojnë edhe më shumë në këtë mandat të tretë. Të gjithë janë dëshmitarë të këtyre ndryshimeve. Të gjithë e dinë shumë mirë se para 8 viteve Vlorës i kishte mbetur vetëm emri si qytet historik, pasi askush më parë nuk kishte menduar për të. Këto çka ndodhën nuk erdhën rastësisht se koha e donte që të ndryshonte Vlora por erdhën vetëm në saj të vëmendjes që Kryeministri Rama tregoi për Vlorën, si askush tjetër më parë. Edhe në Rajonin 1 është ndezur drita jeshile e projekteve transformuese: qendra historike, lagja Muradie është një investim madhor me perspektivë për zhvillimin e zonës e cila i ka kthyer identitetin. Projekti për restaurimin e Sheshit të Flamurit përfshin dhe rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve dhe rehabilitimin e të gjithë parkut i cili do të ketë infrastrukturë bashkëkohore. Projekti për godinën shumëkatëshe në zonën e Sheshit të Flamurit parashikon kthimin e asaj godine në një qendër multifunksionale ku do të punësohen shumë të rinj dhe të reja, duke nxitur në këtë mënyrë edhe sektorin e punësimit në qytet”, u shpreh Gjiknuri.

Në këtë mandat të tretë qeverisës, vijoi ai, do t’i jepet fund problemeve të furnizimit me ujë të Llonxhës, një prej lagjeve që ndër vite e ka vuajtur mungesën e ujit të pijshëm dhe kjo do të mundësohet falë projektit për krijimin në zonën mbi spital të depos së ujit e cila do të furnizojë me ujë Llonxhën dhe zonat përreth. “Ndërhyrjet në rrjetin elektrik dhe ato në infrastrukturën rrugore janë investime të nisura gjatë këtyre mandateve e që në mandatin e tretë të Partisë Socialiste do të shtrihen edhe më tej në brendësi të Rajonit 1”, pohoi drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri.

Gjiknuri pohoi se të gjitha këto investime e shtojnë perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm të Vlorës ndërsa ftoi të gjithë qytetarët që t’i mbështesin projektet e parashikuara për Vlorën në këtë mandat të tretë qeverisës duke votuar për Partinë Socialiste për të vetmen forcë politike e cila do të vijojë transformimin. “Çdo njeri për herë të parë duhet të votojë për atë që ka bërë punë konkrete, për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste. Përmes votës për Partinë Socialiste ne tregojmë mirënjohje për gjithçka që Rama ka bërë për Vlorën”, theksoi Gjiknuri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.