Transformim epokal me impiantet në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Durrës/ “Kemi zhdukur gangrena të tmerrshme në mes të qyteteve”

TIRANË, 12 prill/ATSH/  “Të gjitha partneritetet publike private nuk kanë rënduar xhepin e shqiptarëve me asnjë qindarkë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive.

“Check up që bëjmë ne është një politikë që është lavdëruar nga OBSH si një politikë largpamëse dhe e domosdoshme për të ulur përshkallëzimin e sëmundjeve dhe kostot e mëdha shëndetësore dhe financiare që përshkallëzimi i sëmundjeve iu krijon familjeve. Check up është një histori e madhe suksesi dhe këtë e tregon fakti që shqiptarët të cilët deri dje nuk arrinin dot të bënin një analizë të përgjithshme për shkak se kushtonte shumë e bëjnë këtë falas dhe tanimë e bëjnë në mënyrë të përsëritur”, – tha Rama.

“Ne e kemi ndaluar për shkak të pandemisë jo thjesht në aspektin financiar, por edhe për të shmangur shkuarjet nëpër qendra shëndetësore dhe kemi pasur ankesa pa fund nga qytetarët për ta hapur”, – tha Rama.

Lidhur me inceneratorët Rama tha se “nuk është e vërtetë që politikat e Bashkimit Europian janë  kundër”.

“Janë të gjitha gjysmë të  vërteta dhe në rastin konkret janë gënjeshtrat më të mëdha. Ne kemi bërë një transformim që është epokal falë impianteve të  përpunimit të mbetjeve që janë impiante ultramoderne që janë me ndotje afër zero”, tha Rama.

“Të gjitha këto janë investime që në kohë të caktuara sipas marrëveshjeve janë investime që janë bërë nga shteti. Së shpejti impianti i Elbasanit është pronë e bashkisë së Elbasanit në afatin e caktuar. Ne sot kemi në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Durrës një transformim epokal kemi zhdukur gangrena të tmerrshme në mes të qyteteve duke u kthyer njerëzve ajrin”, vijoi Rama.

“Ne sot kemi check up që është sot një politikë e cila është mbështetur, vlerësuar, lavdëruar nga OBSH dhe gjithkush. Ne kemi instrumentet mjekësorë që deri dje futeshin me ato të kohës së miqësisë shqiptaro-kineze dhe kishim një numër të madhe infektimesh post operatore skandaloze. Kemi një rënie drastike të infektimeve post operatore sepse kemi sot në të gjitha sallat e operacioneve të Shqipërisë instrumente të fjalës së fundit dhe shërbehen si në kushtet e spitaleve jashtë vendit”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ajo që njerëzit kanë përfituar nga këto partneritete është e jashtëzakonshme në krahasim me tmerrin e të gjithë këtyre shërbimeve në kohën kur ne ndërhymë në to. Mendoj që janë absolutisht me kosto të arsyeshme, nuk janë absolutisht borxhe që rëndojnë borxhin e përgjithshëm të Shqipërisë, janë detyrime që lahen vit pas viti, në 7 vjet, në 10 vjet, 15 vjet, 13 vjet”.

“Mua më intereson që nesër njerëzit ta kenë rrugën e Arbrit aty dhe të lëvizin lirisht se do të paguajmë ne rrugën e Arbrit për 13 vjet kjo  është çështje tjetër. Por nuk mund unë dot t’i thoja njerëzve do të prisni 13 vjet  sa të ndërtojmë ne rrugën e Arbrit me këto lekë”, – tha Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.