Taksa dhe TVSH zero deri në 2029/ Mandati i tretë për Shqipërinë e 2030-ës

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Belsh, tha se në politikë ka hyrë jo për ambicie politike, por për të çuar Shqipërinë në atë majë që ai e ka parë dhe ëndërruar vendin qysh se ka qenë student.

Sipas Ramës, për të arritur atë majë, ai është i gatshëm të vendosë të gjitha energjitë, mishin e shpirtin e tij.

“Kur unë them që Shqipëria e vitit 2030, duhet dhe do të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, nuk është një ëndërr që e kam parë duke fjetur, por është një ëndërr që e kam parë me sy hapur qysh se kam menduar se çfarë duhet bërë në Shqipëri, që në kohën kur nuk jam marrë me politikë dhe nëse unë u ktheva nga emigracioni dhe hyra në politikë, nuk hyra për veten time në kuptimin e ngushtë të fjalës. Hyra, sepse më ka munduar qysh në krye të herës, më ka nxjerrë edhe në lëvizjen e studentëve kundër regjimit të atëhershëm, maja që unë ëndërroja për Shqipërinë, aty ku Shqipëria mund të ngjitet dhe jam këtu akoma sot, jo për të provuar se si është të jesh kryeministër, apo për të ndenjur e për shijuar pushtetin, siç kanë bërë disa të tjerë dhe as se pushteti për mua është plaçkë, por jam këtu sot se po ngjitemi drejt kësaj maje dhe dua t’i vë të gjitha energjitë e mia, mishin e shpirtin për të arritur atë majë, pse mos ta arrimë,  për çfarë mos ta arrimë? Na i ka dhënë Zoti të gjitha… Na i ka dhënë natyra të gjitha…”, – nënvizoi Rama.

“Dhe në këto vite kam provuar një gjë të sigurt, se ky vend bëhet. Por nga ana tjetër, kush kërkon që ky vend të bëhet si vendet nga ku u bënë komentet, ku ka shkuar në emigracion në një kohë kaq të shkurtër, harron se ato vende janë bërë me dekada. Janë bërë me shekuj, ndërkohë që ne s’kemi nevojë për shekuj, apo dekada të tëra, pasi jetojmë në një kohë ku teknologjia ka bërë mrekulli, që na ka lidhur me shpejtësi të madhe me botën dhe dijen. Prandaj ne na duhet vetëm forca e karakterit, bindja dhe besimi, këmbëngulja dhe vendosmëria që kur të ngjitemi mos të biem pre e tundimit për t’u ndalur, të mos dëgjojmë zërin e lodhjes, që thotë: Boll pusho! Të mos dëgjojmë zërin e mundimit që thotë: Hajde kthehemi, nuk shkojmë dot më lart, hajde ikim”, u shpreh Rama.

“Kjo vetëm na duhet. Ne duam vetëm të ngjitemi, siç bëjnë çdo ditë fermerët e Belshit, që dalin në pesë të mëngjesit e shkojnë tek toka, që ndodh në një moment që goditen nga breshëri e shohin që çdo gjë që kanë mbjellë dhe që po rrisin, të shtrira përtokë, dhe nuk ikin, nuk e lënë tokën e tyre, nuk dorëzohen e thonë po ikim të merremi me punë tjetër, por kthehen të nesërmen tek toka dhe e rimbjellin dhe vazhdojnë e ia dalin në fund. Kjo na duhet ne. Ne na duhet karakteri i njerëzve të punë”, – tha Rama.

Gjithashtu, Rama tha se mandati i tretë për Partinë Socialiste është një mandat për të gjithë Shqipërinë dhe se vota në 25 Prill nuk është një votë për PS apo për PD, por një votë për Shqipërinë e 2030-ës.

Ai tha se për të ecur përpara drejt majës, duhet forca e karakterit.

“Ne na duhet karakteri i atyre, që merren me një biznes të vogël, që nuk kanë ndenjur tek kafja e tjetrit, duke u ankuar, duke pritur që shteti t’ua bëjë jetën rrafsh. Por kanë hapur në fillim një kioskë të vogël, më pas një kub më të madh, më tej më të madh dhe më pas më të madh akoma dhe vazhdojnë, vazhdojnë, vazhdojnë, luftojnë, luftojnë, luftojnë… Prandaj atyre ne ua kemi bërë taksën 0, prandaj atyre ua kemi bërë TVSH 0 dhe 0 do ua mbajmë deri në 2029-ën, sepse ata janë njerëzit, të cilët janë edhe frymëzimi ynë, edhe arsyeja që ne punojmë edhe forca e punës. Forca e vendosmërisë dhe të gjithë atyre u them: çfarë rëndësie ka që jeni demokratë apo socialistë, e rëndësishme është që me ne këtu, së bashku, ne mund të bëjmë gjëra që deri dje as nuk mund të imagjinoheshin, ne mund të bëjmë të mundura gjëra që deri dje dukeshin të pamundura dhe me ne së bashku ju do ta keni taksën 0 dhe TVSH 0. Çfarë do t’ju bëjë juve Partia Demokratike? Do jua uli taksën nën 0! Minimumi që mund t’ju bëjë është t’ju vërë në gjumë… Dhe kjo është më e mira në fakt, se mund edhe t’ju shkatërrojë fare me atë taksën e sheshtë 9 %”, – tha Rama.

“Nga ana tjetër, të gjithë ata që këtu janë në një moshë të caktuar, se vajzat që kam këtu përballë, në vitet ’96 – ’97 kanë qenë fëmijë. Të tjerët e mbajnë mënd shumë mirë se çfarë i ndodh një populli kur shkon pas berihajit. Çfarë i ndodh një komuniteti njerëzish që harron se është puna që të jep suksesin, kur harron se s’ka receta çudibërëse në këtë botë që ta bëjnë jetën rrafsh dhe kush shkon mbas Sudes, Vehbiut, pas Xhaferrit, kur shkon pas atyre që të thonë më jep 1 të jap 2, dhe në fund mbetën të gjithë me gishtin në gojë mes flakë”,- shtoi Rama.

“Kështu është dhe oferta e tyre, më jep votën të të jap lekë, më jep votën të jap lekë, lekë, lekë, Noc Rrokun do ju japin. Biles Noc Rrokun ku ta gjesh, por humbje tjetër kohe, humbje tjetër vitesh, humbje tjetër jete në pritje me fund të keq. Nuk ndodh, nuk ka ndodhur kurrë, e thotë populli, të përsëritësh të njëjtën gjë e të marrësh rezultat tjetër, është të jesh budalla. Ata s’janë provuar një herë, por dy herë. Çfarë bënë në fund? I lanë të gjithë rrugëve dhe pa shpresë. Ndërkohë që sot ka plotë njerëz të mërzitur, patjetër ka njerëz të pakënaqur, sepse sa më shumë bëjmë, aq më shumë na shohin se sa shumë më tepër mundësi ka”, – sqaron Rama.

“Deri dje në Belsh, na thonin: aman rrugën për të ardhur e për të ikur. Nuk thoshte njeri hajde bëjmë këtë që kemi bërë këtu. Nuk thoshte njeri hajde të bëjmë turizëm në Belsh, nuk i shkonte në mendje për të folur për gjëra të tjera, vetëm rrugën. Sot që kemi ardhur këtu në këtë pikë, patjetër që mendja e të gjithëve është vënë në lëvizje për të parë më larg e për të kërkuar më shumë, pasi sa hapet një shteg zhvillimi ai sjell plot shtigje të tjera zhvillimi dhe plotë të tjera e të tjera”, – thekson Rama.

“Duhet kohë e durim, duhet punë e madhe dhe karakter i fortë për të rezistuar, prandaj më 25 prill është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo, nuk është votë për një parti kundër një partie tjetër, as votë për PS kundër PD, as votë për PD kundër PS, kjo është një votë për të vendosur me çfarë Shqipërie do të jetojmë dhe se si do jetë Shqipëria e 2030-ës”, – nënvizoi Rama.

“Kjo është votë për të vendosur nëse do bëhet drejtësia që duam. Sigurisht nuk është sot ajo drejtësi që duam, por nga ana tjetër nëse çfarë është ndërtuar sot nuk vazhdojmë ta ndërtojmë më tutje për ta plotësuar të gjithë atë që kemi projektuar, por përkundrazi e marrim atë që është ndërtuar deri më sot dhe e hedhim në lumë, atëherë janë dhjetë vite të humbura më së pakti, atëherë nuk ka shans të mendosh më të shikosh ti në jetën tënde drejtësinë për të cilën ne po luftojmë çdo ditë. Ka drejtësi dhe nuk diskutohet fare drejtësia në Gjermani, nuk diskutohet fare në Angli, Francë… etj., etj. Por nuk është ndërtuar për disa vite, është një sistem i tërë që do kohën e vet, që do durim, do rezistencë, do forcë karakteri, do kokëfortësi, që të vazhdosh të vazhdosh. E pra unë jam këtu dhe në këtë fushatë për t’ju thënë se mandati i tretë nuk është për mua personalisht, mandati i tretë është si ajo fraza e bukur e këngës popullore: As për mua as për ti, por për të gjithë Shqipërinë!” – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.