Takimi me gra dhe vajza në Elbasan/ “Realizuam vaksinimin masiv si askush tjetër, ne detyrat i marrim me shumë seriozitet dhe i bëjmë me shumë këmbëngulje”

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot nga Elbasani se “disa herë shqiptarët kanë bërë një zgjedhje që i ka çuar drejt greminës duke u tërhequr për hunde nga udhëheqës të papërgjegjshëm, të cilët i kanë përdorur për mish për top”.

Në fjalën e tij gjatë takimit me gratë në qytetin e Elbasanit, Kryeministri Rama tha se “kanë zgjedhur të shkojnë pas Haxhi Qamilit dhe pastaj kanë zgjedhur të shihen të rrethuar nga flakët e zgjedhjes së gabuar. Kanë zgjedhur më pas të shkojnë pas Sudes, Vehbiut, Xhaferrit me idenë se mjafton të japësh një dhe merr dy dhe nuk ka nevojë të zgjohesh herët, të punosh pa pushim, nuk ka nevojë të lodhesh e të rizgjohesh përsëri e përsëri. Mjafton të japësh një e të marrësh dy”.

“Kështu duket se është zgjedhja e 25 prillit. Ata të cilët duan të rikthehen po ju ofrojnë të njëjtën recetë, na jepni votën ne do t’u japim kaq mijë euro këtu, kaq mijë euro atje, kaq mijë euro për të rinjtë, sipërmarrësit, fermerët, miliona e qindra-miliona. Si mund të jetë kështu, si mund të ndodhë kështu dhe si mund të ketë sot njerëz që besojnë akoma në këto lloj çudish, çudi të dhimbshme, çudi të cilat shqiptarët i kanë paguar shumë shtrenjtë në të kaluarën”, – nënvizoi Rama.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, “zgjedhja për ne dhe zgjedhja me ne është shumë e qartë të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje, pa pushim të punojmë pa u lodhur, të vazhdojmë të ngjitemi pa rënë pre e lodhjes, e mërzisë, e rezistencës së kundërt që i vjen gjithkujt që sfidon për të shkuar më tutje”.

“Ne sot jemi në kushtet kur tejkalimi i fazës më të vështirë të pandemisë duket sikur është një histori e kaluar. Sot jemi në kushtet kur shumëkujt vaksinimi masiv po i duket si gjëja më e zakonshme. Madje dëgjoj njerëz që thonë po çfarë pastaj këtë gjë do ta bënte gjithkush, këtë gjë për detyrë e keni. Patjetër që për detyrë e kemi dhe pikërisht se ne detyrat i marrim me shumë seriozitet dhe i bëjmë me shumë këmbëngulje ne jemi ata që realizuam vaksinimin masiv si askush tjetër rreth e rrotull nesh”, – tha Rama.

Patjetër, shtoi Kryeministri, “për detyrë e kemi që t’u rindërtojmë shtëpitë e atyre që u goditën nga tërmeti katastrofik dhe mbetën në qiell të hapur për pak sekonda”.

Më tej, Rama theksoi se “më vjen shumë mirë që jemi këtu në këtë stacion, pasi kemi qenë në disa stacione më parë dhe nuk ka stacion më të bukur dhe më të duhur sesa ky stacion, me gratë e vajzat e Elbasanit për të folur për zgjedhjen e 25 prillit, e cila është një zgjedhje e qartë mes këmbënguljes, punës, besimit, dhe durimit për të vazhduar të ngjitemi më tutje dhe dorëzimit, ndjenjjes ulur, kthimit mbrapa dhe rifillimit nga e para pas disa vitesh siç ka ndodhur në të shkuarën”.

(vijon…)

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.