Shqipëria po del më e fortë pas tërmetit/Nuk kemi parë si të çojmë në shtëpi socialistët duke lënë demokratët në tenda

TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Gramshi se ndërkohë që po ngrihen një nga një lagjet dhe shkollat e reja në zonat e prekura nga tërmeti, “ne nuk i kemi ndarë familjet e goditura që po ndihmohen në majtas apo djathtas”.

“Sot jemi në një moment kur i kemi para syve të freskëta pasojat e tmerrshme të tërmetit. Mijëra familje që humbën çatinë brenda pak sekondash dhe mbetën në rrugë. Përpjekjet e jashtëzakonshme që bëmë të gjithë së bashku për t’u dhënë atyre familjeve një strehim, ushqim të ngrohtë dhe për të filluar trokitjet në dyert e botës që të nisnim rindërtimin”, tha Rama.

Kryeministri tha se nuk i lamë ato familje të prisnin në çadra deri kur shtëpia të rindërtohej, por duke u dhënë akoma mundësinë të strehohen, siç janë sot një pjesë e madhe e atyre që nuk janë kthyer ende në shtëpi, i dhamë mundësinë të jetojnë në apartamente si gjithë të tjerët”.

Ndërkohë, vijoi Rama, “një nga një po marrin formë lagjet e reja të transformuara dhe shkollat e reja që nuk kanë asnjë krahasim me ato më parë”.

“Kushdo që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar e sheh edhe e dëgjon se ne po dalim më të fortë dhe më të mirë pas asaj goditje. Nuk ka pikë dyshimi se nuk po dalin më të fortë vetëm socialistët, por shqiptarët. Nuk po del më e fortë PS, por po del më e fortë Shqipëria, sepse ne nuk i kemi ndarë familjet e goditura që po ndihmohen në majtas apo djathtas. Nuk e kemi shikuar si të çojmë në shtëpi socialistët duke lënë demokratët në tenda. Ne i kemi parë të gjithë në sy me dorë në zemër dhe si shqiptarë me shqiptarët ne jemi bërë një, së bashku me ta”, shtoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.