Shqipëria, në fashën më të lartë për vaksinimin/ Ndër të paktat vende që do ta lëmë pas shpejt tunelin e pandemisë

TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne jemi një nga dy vendet që po vaksinon masivisht në rajon dhe sot Shqipëria është në fashën më të lartë për vaksinim”.

Në një takim me të rinj në Gramsh, Kryeministri theksoi se, “ndërkohë që ne u goditëm aq rëndë me një fatkeqësi aq të madhe nga tërmeti, që ka sprovuar vende të mëdha dhe shtete të zhvilluara, bashkuam energjitë, burimet financiare, qindra kompani dhe mijëra punëtorë për të rindërtuar, na erdhi goditja tjetër, tërmeti që tronditi gjithë botën, armiku i padukshëm”.

“Pandemia që ndodh 1 herë në 100 vjet na qëlloi ne, kësaj kohe, kësaj gjenerate. Ne përsëri nuk u dorëzuam, edhe pse ai tërmet sprovoi sistemet më të zhvilluara shëndetësore të botës. Ne ia dolëm të përballojmë edhe të sigurojmë vaksinimin masiv të gjithë popullit në një lagje në mes të Europës, pasi BE la jashtë furnizimit me vaksina 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.

Ne, vijoi ai, “jemi një nga dy vendet që po vaksinon masivisht në rajon dhe sot Shqipëria është në fashën më të lartë për vaksinim, për jetë të shpëtuara, plagë të shmangura dhe  numrin e gjyshërve që u rikthyem buzëqeshjen”.

“Ne nuk i pamë se kush janë. Janë gjyshër të socialistëve apo demokratëve, por ne i shohim të gjithë si gjyshërit e secilit prej nesh. Sot ne po ia dalim aty ku pakkush e besonte. Ju kujtohet kur thoshin ku do t’i gjesh ti lekët për rindërtimin dhe unë i thosha do t’i nxjerr nga fundi i dheut? Po kështu mendonin se vaksinat nuk do t’i siguronim”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “ne i siguruam vaksinat dhe falë përballjes në sy me sfidën, vullnetit të madh dhe këmbënguljes do të vazhdojmë të ngjitemi dhe do të jemi ndër të paktat vende që do ta lëmë pas shpejt tunelin e pandemisë”.

“Lufta nuk ka mbaruar. Ne nuk mund të harrojmë se ndërkohë që vaksinojmë duhet të respektojmë rregullat, të mos e sabotojmë një proces ku kemi hyrë fuqishëm. Por mos e harroni se këtë luftë po e bën, po e fiton dhe mund dhe do ta fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse. Harrojeni se ata të tjerët do ta vazhdojnë”, shtoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.