Shqipëria, kampione në eksportet bujqësore/ Në 4 vitet e ardhshme shkojnë mbi 1 miliard dollarë

TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Cërriku se, “ne duhet ta bëjmë Shqipërinë kampione në eksportet bujqësore në rajon dhe kjo është plotësisht e mundur”.

Rama tha se “nga 100 milionë dollarë që ishin eksportet bujqësore i kemi çuar në 400 milionë dollarë dhe në 4 vitet e ardhshme do shkojnë mbi 1 miliard dollarë në planin tonë të veprimit”.

“Në skuadrën e Elbasanit ne kemi një nga kampionët e punës me tokën, shembuj frymëzues e domethënës që u tregojnë të gjithëve se puna të nxjerr atje ku do, nëse ti nuk dorëzohesh”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ka shumë arsye për të qenë të pakënaqur, për të kërkuar më shumë dhe të gjitha janë të mirëkuptueshme, por ka vetëm një mënyrë që të bëjmë më shumë, që të mos dorëzohesh por të vazhdosh të ngjitesh”.

“Duhet të vazhdosh të shkosh para dhe të mos kthehesh mbrapa. Karakteri ynë, i qeverisjes sonë është si i atyre fermerëve që përballen me breshërin që ua rrafshon të gjitha, por ata nuk dorëzohen, nuk thonë po i shesim, në djall të gjitha, por të nesërmen kthehen që në orën 5 të mëngjesit dhe ia dalin. Kështu bëjnë sukses për vete dhe të tjerët. Këta jemi ne. Kjo është PS dhe marrëdhënia jonë me popullin”, tha ai.

Rama tha se “të gjitha këto që kemi bërë kanë ndodhur se kemi qenë të bashkuar me njerëzit, nuk i kemi ndarë në tanët dhe tyret, as e kemi shpërndarë naftën pa taksa për ata që janë tanët”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.