Shqipëria e ardhmja jonë/ PS, forcë e karakterit të njerëzve të punës

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Gramshi se vota më 25 prill është shumë e rëndësishme dhe se përpara nuk ka një fushë me lule, por një të përpjetë që duhet ta ngjisim me se s’bën.

Sepse, tha ai, na takon ne të bëjmë atë që e shmangën në të gjithë historinë tonë të tjerët, duke i rënë shkurt, duke parë vetëm familjen e tyre, klanin dhe pushtetin e tyre.

Rama tha se ka një dallim shumë të madh midis nesh dhe atyre.

”Ne jemi ajo forcë e karakterit që është forca e karakterit të njerëzve të punës, forca e karakterit që nuk e kanë mëngjesin nga shtëpia në kafe, për të filluar të ankohen për gjërat që nuk shkojnë, forca e karakterit të atyre që çdo mëngjes mendojnë se çfarë do të nxjerrin për familjen e tyre, me punën e tyre dhe se si familja e tyre do të jetojë më mirë nesër”, tha Rama.

Në çdo shtëpi gjërat nuk shkojnë të gjitha mirë, por ama, theksoi Rama, nuk vihet asnjëherë në pikëpyetje uniteti i brendshëm për të vazhduar për t’u ngjitur duke i dhënë dorën e mbështetur njëri-tjetrin.

“Drejtimi i një vendi dhe puna për drejtimin e një vendi të vogël si yni është njëlloj si puna në shtëpi. Cila shtëpi është ndërtuar sa hap e mbyll sytë, pa djersë e sakrifica. Por ama nëse sot jemi më mirë se dje, kjo vjen falë punës së prindërve tuaj, sepse ata sakrifikojnë çdo ditë dhe ngjiten pa u lodhur”, deklaroi Kryeministri.

Sipas Ramës, nuk ka receta çudibërëse.

“Të vetmen çudi që përmban ndryshimi e sjell puna dhe pasioni për t’ia dalë, e në këtë pikë unë ju them se shtysa që mua më nxjerr përditë nga shtëpia është që të bëj gjithçka mundem që Shqipëria të jetë më e mirë nesër, e secili nga shqiptarët, pavarësisht se çfarë voton, të ndjehet më mirë nesër”, deklaroi Rama.

Rama po ashtu përcolli një mesazh për të rinjtë që nuk duan të merren me politikë.

“Të rinjtë që thonë nuk duam të merremi me politikë, pasi mendojnë se të gjithë janë njëlloj, se voton, se s’voton, asgjë nuk ndryshon. Jo! Kjo nuk është e vërtetë. Se po të ishin të gjithë njëlloj edhe këtu ku jemi, do të ishte njëlloj si para disa vitesh. Ajo rruga bashkë me atë urën nuk do të ekzistonin, do të vazhdonim t’i binim rrotull kodrave për të arritur këtu, edhe Gramshi do të ishte njëlloj si para disa vitesh”, u shpreh Rama.

Por theksoi ai, jo vetëm nuk jemi të gjithë njëlloj, por ajo që është akoma më e rëndësishme për njeriun që thirret për të votuar e thotë jo, është se gabon duke menduar se po i ktheu shpinën politikës dhe kutisë së votimit është jashtë mundësive që politika të merret me të prapa shpine.

“Sa më pak njerëz të zakonshëm të merren me politikën, aq më shumë e mundur që politika të bjerë në duar të këqija dhe aq më shumë njerëzit e zakonshëm vuajnë prej vendimmarrjeve të këqija. Sa më shumë njerëz të zakonshëm të merren me politikën në radhë të parë, duke vendosur me votën e tyre se çfarë duan, aq më shumë mundësi ka që politika të bjerë në duar të mira e vendimmarrjet të jenë të mira për shumicën dërrmuese të njerëzve”, tha ai.

Se edhe rindërtimi i shtëpive, vijoi Rama, bëhet nga politika nuk vjen nga qielli edhe lufta me armikun e padukshëm bëhet nga politika. Po të mos ishte politika nuk siguroheshin vaksinat, fondet për rindërtimin.

“Politika ka bërë shumë gjëra të këqija në historinë e njerëzimit. Politika ka pjellë edhe nazizmin, edhe fashizmin, edhe diktaturën komuniste, por pa politikën kurrë njerëzimi nuk do të kishte arritur këtu ku ka arritur, vajzat e gratë nuk do të kishin të drejtën e votës, e njerëzit do të vazhdonin të jetonin në zinxhirin e skllavërisë. Pa politikën Shqipëria nuk mund të bëhet e ardhmja jonë”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.