“Shqipëria buzëqesh”/ Fushata kombëtare e vaksinimit masiv antikovid arrin sot në 267 531 vaksinime

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Në të gjithë vendin që prej nisjes së fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh” deri më sot janë kryer 267 531 vaksinime.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu publikoi një foto ku bëri të ditur këtë shifër mjaft domethënëse.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme janë kryer 8352 vaksinime antikovid, në qendrat e vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore në gjithë vendin.

Procesi i vaksinimit masiv ka vijuar me kalendar të kombinuar, për të moshuarit, mjekët, infermierët, stomatologët, farmacistët, arsimtarët, edukatorët, punonjësit e rendit, punonjës të medias.

Më herët ministrja Manastirliu tha se “sot presim që të vijnë 7020 dozat të kontratës me ‘Pfizer’. Dhe do të vijojë vaksinimi në të gjithë vendin”.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit në vend janë kryer mbi 267,531 vaksinime, ndërsa aktualisht është hapur fasha 60-69 vjeç, duke filluar nga mosha më e madhe, në zbritje deri në 65 vjeç. Ndërsa për grupmoshën 60-65 vjeç, do të kenë prioritet të sëmurët kronikë. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.