Shpërndarje e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, finalizohet operacioni “Sig”

TIRANË, 12 prill/ ATSH/ Në vijim të kontrolleve të ushtruara në të gjithë qarkun e Vlorës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në lagjen “Partizani”, Vlorë, një shtetas mbante në banesë, armë zjarri pa leje, si dhe ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “SIG”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri snajper, 64 fishekë dhe një palë dylbi optike.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.