SHBA – Guterres: Pandemia ka treguar dështimin e bashkëpunimit shumëpalësh

UASHINGTON, 12 prill /ATSH-AFP/ – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha sot se lufta kundër pandemisë, qoftë vaksinimi apo ndihma ekonomike, ka nxjerrë në pah dështimin e bashkëpunimit shumëpalësh mes vendeve.

“Mbështetja e një përgjigjeje të drejtë globale dhe e rimëkëmbjes ekonomike ndaj pandemisë e ka vënë në sprovë bashkëpunimin shumëpalësh dhe, deri më tani, kjo provë ka treguar që ne kemi dështuar”, tha ai, në një fjalim  në OKB përpara një forumi mbi financimin e zhvillimit.

“Vaksinimi është vetëm një shembull. Rreth 75% e vaksinave në botë është e përqendruar në vetëm 10 vende në të gjithë botën”, vazhdoi Guterres.

“E njëjta mungesë solidariteti gjendet në ndihmën ekonomike”, shtoi ai.

Kreu i KB-së vuri në dukje se pandemia e COVID-19 ka shkaktuar më shumë se tre milionë vdekje që nga dhjetori 2019 dhe ka çuar në recesionin më të keq në 90 vjet, duke shtyrë në varfëri ekstreme rreth 120 milionë persona dhe duke zhdukur ekuivalentin e 255 milionë punëve me kohë të plotë.

Guterres i nxiti donatorët dhe institucionet ndërkombëtare që  të mobilizohen për një qasje të barabartë në vaksina dhe ndihma për zhvillim për të gjithë, kudo./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.