Ruçi tur takimesh në qarkun Fier: 6 mijë naftëtarë përfitojnë sot nga statusi i naftëtarit

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Drejtuesi i Politik i qarkut Fier, Gramoz Ruçi ka vijuar turin e takimeve elektorale me banorë në njësitë administrative Ruzhdie, Patos, Zharrëz dhe Aranitas.

Në takim me banorët e njësisë administrative Aranitas, Ruçi tha se PS do të arrijë rezultatin më të thellë në gjithë Mallakastrën.

Ai theksoi se rreth 6 mijë naftëtarë përfitojnë sot nga statusi i naftëtarit.

“Mandatin e tretë do të bëjmë për Mallakastrën atë që kemi bërë për Fierin, Lushnjen, Divjakën, Patosin, Roskovecin”, u shpreh Ruçi duke shtuar se do të vazhdojmë përfitimet për statusin e naftëtarit dhe të profesioneve të tjera të vështira.

Ruçi ka zhvilluar takime edhe me banorët e lagjes “Kastriot” dhe “16 Prilli” në Fier.

“Beteja për sigurinë e energjisë elektrike është drejt përfundimit në Bashkinë e Fierit, të njëjtën gjë me plehrat, të njëjtën gjë me Gjanicën. Brenda këtij mandati Shqipëria kthehet nga një vend që importon energji elektrike, në një vend që eksporton energji elektrike”, theksoi ai.

Ndërsa në takim me banorë të lagjes “8 Shkurti” dhe “29 Nëntori” në Fier, Ruçi tha se, “spitali i ri i Fierit që përurohet këto ditë, është dallëndyshja e menaxhimit modern të spitaleve të Shqipërisë”.

Ai tha se Universiteti Mjekësor i Fierit do të ngrihet gjatë mandatit të tretë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.