Rritje pensionesh e pagash, mbështetja e çifteve të reja, çeku i bebes/ Spiropali: Mirëqenia sociale me PS e mundur

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Rritje e pensioneve, mbështetje për çiftet e reja dhe çeku i bebeve, janë vetëm disa nga politikat sociale të ndërmarra nga Partia Socialiste në tetë vite pushtet.

Elisa Spiropali, kandidate për deputet e PS për qarkun Tiranë përmes një videomesazhi ka theksuar se me Partinë Socialiste rritja e mirëqenies është plotësisht e mundur.

“Në 25 vite radhazi, qeveritë shqiptare nuk kanë patur asnjë politikë demografike, lindje, vdekje, sëmundje përshtatje, kushte ligjore, politika sociale, për ndjekjen dinamike të ndryshimeve. Asnjë politikë sociale dhe asnjë iniciativë ligjore në dobi të familjeve të reja, apo fëmijëve të lindur. Për 25 vjet me radhë, pa asnjë përkujdesje apo përgjegjësi shtetërore. Krijimi i familjes apo lindja e fëmijëve ishte një barrë tepër e rëndë për familjen. Sot shteti shqiptar ofron një paketë të plotë ligjore që prej ditës së parë të jetës, deri në përfundim të studimeve të larta”, – tha Spiropali.

“Çeku i bebeve mbështet që në lindje familjet e reja. Sot çdo nënë merr 40 000 lekë për fëmijën e parë, 80 000 lekë për fëmijën e dytë dhe 120 000 lekë për fëmijën e tretë e në vijim. Nuk është shumë, por nuk është as i papërfillshëm si gjest për të lehtësuar sadopak ekonomikisht prindërit e rinj. Rrjeti i çerdheve dhe kopshteve të rinj dhe ata qindra të rehabilituar në të gjithë vendin e bëjnë shumë më të lehtë rritjen e fëmijëve, duke ju kursyer shuma të konsiderueshme familjeve tona”, – shprehet ajo në videomesazh.

“Kemi shumëfishuar fondet e vëna në dispozicion të strehimit, në dy mandate janë shpërndarë 30 milionë dollarë për strehimin e 12 750 familjeve, prej të cilave mbi 8000 familje komuniteteve të varfra dhe mbi 4000 familjeve të reja që kanë marrë kredi të buta. 250 000 fëmijë të klasave të parë dhe deri në klasë të shtatë kanë përfituar tekste falas të hartuar me Oxford, Cambgride dhe Pearson. Ndërkohë që për studentët e rinj tarifa të përgjysmuara apo bursa të plota. Në mandatin e tretë të gjithë fëmijët do të kenë tekste shkollore falas. Në bashkëpunim me çerdhet dhe kopshtet private do të krijojmë skemë të re për subvencionim e pagesës në rast mos gjetjes së vendeve të lira pranë në kopshteve publike pranë banesës. Do ta dyfishojmë fondin për kreditë e buta për strehimin e familjeve të reja. Buxheti për ndihmën sociale e kemi sot më të lartë se kurrë më parë, e kemi trefishuar. Për personat me aftësi ndryshe, përveç se kemi siguruar mbështetje financiare më të lartë, kemi siguruar edhe përparësi absolute në arsim, strehim dhe punësim. Në mandatin e tretë do ketë një mbulim më të gjerë të familjeve të varfra në skemën e ndihmës ekonomike. Rritja me 10 % në vit e fondit të ndihmës ekonomike do të forcojë politikat ekonomike që rrisin mirëqenien për të gjithë dhe do të vijojmë të ngushtojmë hendekun social”, – u shpreh Spiropali.

“Në vitin 2013 kush kishte më pak taksohej më shumë, falë taksimit të ndershëm 97.5 % e shqiptarëve me pagë deri në 150 000 lekë në muaj sot paguajnë më pak. Në këto tetë vite paga minimale u ngritë me 50 %, duke u rritur nga 20 000 lekë në muaj në 30 0000 lekë në muaj. Paga mesatare u rrit nga 58 000 lekë në 72 000 lekë. Në Planin e Veprimit 2021-2025 dyshemenë e taksimit për pagën minimale, do ta rrisim nga 30 000 lekë në 40 000 lekë”, – tha Spiropali.

“Me reformën që ndërmorën në 2014 krijuam një model të ri, sot pensionistët marrin pension më të lartë dhe çdo vit të ri kanë bonusin e tyre për festa. Gjatë periudhës së mbylljes nga pandemia 1.5 milionë pensione u shpërndanë për tre muaj radhazi në shtëpi. Sot ky shërbim ofrohet për çdo pensionist për të shmangur grumbullimet dhe infektimet. Pas mjekëve dhe infermierëve janë gjyshërit që do marrin dozat e vaksinave si grupi më i rrezikuar ndaj infektimit. Në mandatin e tretë do rrisim pensionet dhe do dyfishojmë shpërblimin e fundvitit. Po punojmë me Italinë dhe Greqinë dhe jemi drejt përfundimit të punës për njehsimin e viteve të punës dhe të kontributeve të pensioneve. Së bashku i kthejmë dinjitetin gjyshërve dhe prindërve tanë, së bashku do ja dalim të ndërtojmë të ardhmen e begatë të fëmijëve tanë, me ne këto dhe të tjerat janë të mundshme. Shqipëria e ardhmja jonë. Votoni Partinë Socialiste, numrin 12″, – përfundon Spiropali.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.