Rama për premtimet e opozitës: Shqiptarët i kanë dëgjuar nga Sudja, Vehbiu e Xhaferri

TIRANË, 12 prill /ATSH/ 25 Prilli është sprovë karakteri jo vetëm për PS, por sprovë karakteri për të gjithë ne.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinj në Gramsh, ka deklaruar këtë të hënë, se përballë kemi rrugën e mundimshme të ngjitjes, apo recetat joshëse çudibërëse, ku paratë shpërndahen lumë, si në kohën e firmave piramidale të Sudes e Xhaferrit.

“Kjo është sprovë karakteri, jo thjesht për Partinë Socialiste, por 25 prilli është sprovë karakteri për të gjithë ne, për të gjithë bashkësinë tonë. Është sprovë karakteri për të gjithë shqiptarët, është sprovë karakteri për të vendosur të vijojmë ngjitjen me mund e sakrifica, duke pranuar se edhe do të gabojmë, edhe do të pengohemi, do të rrëzohemi, por do të ngjitemi e ngjitemi sërish, apo do t’i biem shkurt, duke rendur përsëri pas sirenave joshëse nga recetat çudibërëse, ku paratë do të shpërndahen lumë”, – tha Rama.

“Kaq mijë euro për një student, aq mijë euro për një çift të ri, akoma më shumë mijë euro për një sipërmarrës, edhe akoma më shumë mijë euro për çifte më të vjetra, mijëra e mijëra euro për çdo pensionist. Këto i kemi dëgjuar, dhe i kemi stërdëgjuar. Ju jeni të vegjël, por pyesni prindërit tuaj. Ju keni qenë asokohe të vegjël, tani jeni rritur, por prindërit tuaj i kanë dëgjuar nga Sudja, Vehbiu e Xhaferri dhe nëse këto receta do të funksiononin do i kishim parë nga të tjerët, nga vende më të zhvilluara”, – tha Rama.

“Do t’i kishin bërë të tjerët, s’do kishim dalë ne më të zgjuar se të tjerët. Por ndërkohë, nëse shohim Gjermaninë, Francën, Italinë, po të doni edhe Greqinë, prej ku të gjithë ata që shkojnë në emigracion shkruajnë duke bërë krahasime, atëherë e kuptojmë që ato vende kanë arritur këtu ku janë vetëm duke u ngjitur me forcën e karakterit, me punë e durim, duke fituar çdo ditë ato betejat e vogla e të bezdisshme, të cilat ne shqiptarët shpeshherë s’i marrim seriozisht duke ëndërruar që një gjë e madhe të na vijë e të bjerë nga qielli. Asgjë nuk bie nga qielli përveç shiut, e asgjë nuk ngrihet nga toka përveç se me djersë e sakrifica e me punë”, – tha Rama.

“Në të gjithë Shqipërinë sot, nuk gjendet një fermer që të thotë se prodhimet bien nga qielli. Nuk gjendet një që të thotë se kur punon tokën, gjithçka shkon vaj. E nuk gjen një fermer që të thotë se një breshër i prishi prodhimin e të gjithë vitit e ai u ringrit përsëri dhe vijoi punën. Nuk ka në asnjë sektor të jetës sonë, njerëz që besojnë tek puna, tek suksesi përmes punës, që të tregojnë se gjërat bien nga qielli e se vjen dikush e ta bën jetën fushore”, tha Rama.

“Jo! Jeta është malore dhe kjo botë është e guximtarëve, është e njerëzve të vendosur edhe është e atyre që nuk tallen me të tjerët dhe që nuk ua bëjnë të tjerëve suksesin si gjënë më të lehtë. Nuk ka sukses të lehtë. Ne kemi arritur shumë, por sigurisht për të arritur edhe më shumë, siç të gjithë duam, duhet të punojmë edhe më shumë. Duhet të bashkohemi edhe më shumë. Ne nuk jemi më edhe sot, në kohën kur kemi luksin të përçahemi përsëri, ikin ca e vijnë ca, e vijon historia si më parë. Sot duhet të bashkohemi, të ndajmë shumë qartë rrugët mes rezistencës, punës, durimit, vendosmërisë e sakrificës, me vetëdijen se të gjitha gjërat duan kohën e tyre, dhe pastaj, të asaj që kemi parë në të shkuarën, qokave, klientelizmit, të tanët dhe të atyre, të ndarë në dysh, në tresh, ndarë në katërsh po të doni. Është një histori që ia kemi parë sherrin gjithnjë”, – nënvizoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.