Qendra të teknologjisë së informacionit nga Korça në Kukës/ Shqipëria, e ardhmja e gjithësecilit

TIRANË, 12 prill /ATSH/ “Nuk ka rrugë tjetër veçse bashkimi i të gjithë shqiptarëve që besojnë tek puna e jo tek llafet. Duhet të jemi të gjithë bashkë që Shqipëria nesër të jetë e ardhmja e gjithësecilit, që të jemi krenarë për kushtet e kësaj shtëpie të përbashkët ku jetojnë shqiptarët”.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinj në Gramsh, u shpreh se të gjithë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar për të vijuar përpara e për të mos u kthyer sërish tek e njëjta histori.

Sipas tij, të përsëritësh të njëjtën gjë dhe të shpresosh një rezultat tjetër nga ai që ke marrë më herët, do të thotë të jesh budalla.

“Nuk ka rrugë tjetër veçse bashkimi i të gjithë shqiptarëve që besojnë tek puna, jo tek llafet. Që besojnë tek mundi dhe jo tek rruga e shkurtër. Nuk ka asnjë shans tjetër çdo gjë tjetër është e provuar. Çdo gjë tjetër është përsëritur aq shumë herë në histori, edhe në historinë e afërt, sa të kujton atë shprehjen e popullit: Të përsëritësh të njëjtën gjë dhe të shpresosh në rezultat tjetër, do të thotë që je budalla. Nuk mundet të ketë rezultat tjetër”, – nënvizoi Rama.

“Sot ne jemi në kushtet kur mund të themi me plot gojën që mund ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, kampione të Ballkanit në agroturizëm, që mund ta bëjmë Shqipërinë kampione e Ballkanit për përfshirjen masive të fëmijëve të sotëm, të vajzave dhe djemve, që nesër do të marrin në dorë fatet e këtij vendi, në botën e teknologjisë së lartë, në botën digjitale. Duke i mbështetur të rinjtë e të rejat, duke i mbështetur të gjithë ata që janë nxënës e studentë, që duan të rrinë këtu e të kenë paga më të larta, për të marrë trajnime intensive përmes qendrave të teknologjisë së informacionit, që kemi nisur të ndërtojmë, duke nisur nga Tirana dhe Korça, e duke vijuar me Elbasanin, Vlorën, Shkodrën dhe Kukësin, e kështu me radhë. Për t‘ju dhënë një perspektivë që nesër Shqipëria të jetë e ardhmja e gjithësecilit e ku ju të jeni krenarë, jo thjesht për faktin se kemi një histori që kemi pse të krenohemi, apo se kemi bukuri për të cilat duhet të krenohemi, apo se familja e gjithësecilit prej jush ka një traditë për të cilën ia vlen të krenoheni. Por, të jeni krenarë për kushtet e kësaj shtëpie të përbashkët ku jetojnë shqiptarët”, – tha Rama.

“Pastaj cilido që do të largohet për një eksperiencë tjetër, do ta bëjë e i uroj t’i vejë mbarë, por jo të largohet, sepse s’ka mundësi këtu të bëjë atë që do, por duhet që secili të ketë shansin ta bëjë këtu atë që do, ta bëjë atë që do me punë, të bëjë atë që do me mund, me djersë e sakrificë dhe me forcën e karakterit”, – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.