Portet dhe aeroportet “fabrika buke”/ Belshi, vetëm një pjesë e asaj që Shqipëria do jetë nesër

TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, ndërsa foli sot nga Belshi për ndërtimin e porteve dhe aeroporteve në vend, u ktheu përgjigje të gjithë atyre që shprehen se, “nuk kanë se çfarë duhen aeroportet, por duan bukë për të ngrenë”.

Rama tha se “aeroportet janë ‘fabrika buke’, sepse sjellin lëvizje të madhe dhe kjo sjell qarkullim të madh parash”.

Kjo, tha Kryeministri, sjell nevojën për më shumë shërbime, hotele, bujtina, bare, restorante, shërbime shëndetësore.

Rama tha se ne jemi në një fazë tani që nuk mund të ndalemi, jo më të kthehemi prapa.

“Në Shqipëri agroturizmi është i ri, akoma në embrion. Ka lindur vetëm në vitet e fundit falë vizionit dhe shtysës sonë, por do të shumëfishohet, do të rrjetëzohet në gjithë Shqipërinë duke përfituar nga rritja e vazhdueshme e turizmit në bregun e detit”, tha Rama.

Kryeministri tha se kjo do të ndodhë me investimet e reja, me portin e madh turistik të Durrësit, një nga më të mëdhenjtë e Mesdheut, një investim prej 2.5 miliardë nga një prej kompanive më të mëdha në botë, nga Dubai.

“Po ashtu kemi dhe portin e Vlorës, një tjetër port që do të sjellë këtu shumë turistë të një kategorie tjetër, nga ata që shpenzojnë më tepër, vijnë me jahte. Po ashtu me portin e Sarandës dhe atë të Shëngjinit. Ne do të kemi porta të reja që do të sjellin shumë më tepër njerëz që me të shkelur në Shqipëri, do të duan të hyjnë më thellë, të shijojnë natyrën fantastike. Kjo është një parajsë e bërë nga Zoti dhe e fshehur nga robi”, tha Rama.

Po ashtu, ai tha se, “për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit dhe firmosim garën për aeroportin e Vlorës për të vijuar me atë të Sarandës”.

“Belshi dhe liqeni këtu ishte. Pse ishte një vend ku njerëzit iknin dhe ne kur vinim, vinim nga halli. Sapo morëm detyrën i kam thënë Arifit do ta shikosh si do bëhet Belshi. Disa miq të mi që janë jashtë thonë, nuk ka mundësi të jetë në Shqipëri kjo, kur shikojnë fotot”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo është vetëm një pjesë e asaj që do jetë nesër, se këtu nuk është vetëm liqeni, qyteti i vogël, por është një histori e tërë që po vazhdon dhe shkruhet nga gjithë fermerët e kësaj zone, që sot falë hapjes së kanaleve ujitës e kullues, mbështetjes për bujqësinë i kanë rritur eksportet nga 100 milionë në 400 milionë. Do t’i çojmë mbi 1 miliard në këto 4 vite, sepse kështu thotë lapsi dhe llogaria”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.