“PD e LSI vite drite larg nesh”/Çuçi e Kumbaro takime me banorët: Mandati i tretë , kontratë e re besimi për të vijuar me punët që na presin

TIRANË, 12 prill/ATSH/- Kandidatët për deputetë në Gjirokastër, Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro kanë vijuar takimet elektorale  me banorët në këtë qark.

Gjatë një mëngjesi pune në Përmet me përfaqësues të disa bizneseve lokale, u diskutua për çështje me rëndësi për ta, sidomos ringritja pas goditjes që shkaktoi pandemia.

“Lajm i mirë që nisja e vaksinimit masiv në Shqipëri do të përshpejtojë edhe çlirimin e jetës ekonomike e sidomos të turizmit. Po kështu prej këtij viti bizneset e vogla do ta kenë zero taksën dhe TVSH-në, një ndihmë unikale krahasuar me çdo vend tjetër të rajonit. Për ne biznesi është një partner tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Është biznesi që krijon vende të reja pune prandaj çdo lehtësi për sipërmarrjet është një oportunitet i ri për ekonominë”, u shpreh Çuçi.

Gjithashtu, ai ka zhvilluar një takim edhe me disa barinj në lagjen “Gërhot”, që japin një kontribut të rëndësishëm në gjithë produktin blegtoral të Gjirokastrës.

“Si Ministër i Bujqësisë më vjen mirë që realizova një reformim të Shërbimit Veterinar Shtetëror, si dhe 80% të fondit të alokuar nga buxheti i shtetit për subvencionet në bujqësi, ia dedikova pikërisht blegtorisë. Po kështu kemi siguruar matrikullim dhe vaksinim falas për tufat në mbarë vendin”, deklaron Çuçi.

Një tjetër takim i kandidatit për deputet, Bledi Çuçi ishte edhe te familja e Ibrush Kores në lagjen “Cfakë”, të cilët i falënderoi  për mikpritjen dhe mbështetjen që i japin Partisë Socialiste.

“Më 25 prill kemi të gjithë një përgjegjësi shumë të madhe. Të mbajmë Shqipërinë në rrugën e duhur, të mos kthehemi prapa e të mos zhbëjmë çfarë kemi arritur deri më tani. Mandati i tretë qeverisës është një kontratë e re besimi për të vijuar me punët që na presin. Dhe po nuk i bëmë ne ato punë, mos prisni gjë nga PD e LSI. Janë vite drite larg nesh dhe modelit tonë qeverisës. Nuk na arrijnë dot”, u shpreh Çuçi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.