Orikum-Dukat, segmenti i radhës i gjerdanit infrastrukturor në jug të vendit

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku publikoi sot pamje nga kantieri i ndërtimit të rrugës Orikum-Dukat, ndërsa bën të ditur se po punohet me ritme të shpejta.

Rruga përfshin segmentin Ura e Shën e Elizës deri në Portin e Jahteve. Sipas ministres, deri tani është kryer 13 % e volumit të punimeve dhe shumë shpejt do të fillojë shtrimi i konglomeratit.

Balluku e cilësoi këtë segment prej 14.7 km, një vepër e rëndësishme, e cila lidh bypass-in e Vlorës me tunelin e Llogorasë, duke shkurtuar kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut si dhe rritur sigurinë rrugore.

Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 5 urave si dhe një tunel panoramik.

Orikum-Dukat është segmenti i radhës i gjerdanit infrastrukturor në jug të vendit, i cili afron më tepër bregdetin për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj.

“Avancojmë me përmirësimin e infrastrukturës duke rritur standardin dhe sigurinë rrugore”, bëri të ditur Balluku. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.