Nga HEC-i i Skavicës, te TEC-i i Vlorës dhe parqet eolike/ Shqipëria eksportuese neto e energjisë mundësi reale, investimet në bashkëpunim me qeverinë amerikane

TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Cërriku se “Shqipëria eksportuese neto e energjisë nuk është një ëndërr, por një mundësi reale me investimet e reja që tani janë në proces në bashkëpunim me qeverinë amerikane për HEC-in e Skavicës në veri, TEC-in e Vlorës në jug dhe dy parqet e energjisë diellore, atë të Karavastasë dhe të Spitallës në Durrës”.

Rama tha se “Shqipëria do të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë që nuk ka më nevojë të blejë energji nga jashtë, por jo vetëm e prodhon energjinë këtu për vete, por edhe eksporton energji”.

Kryeministri tha se “ne do ta bëjmë Shqipërinë nga një vend që lëngonte në një krizë të tmerrshme për drita dhe rrezikonte të binte në humnerë si pasojë e humbjeve katastrofale të akumuluar për vite të tëra ku gjysma vidhte gjysmën tjetër, në një vend eksportues neto të energjisë”.

Në 25 prill, tha ai, “testohet karakteri ynë si shoqëri përballë sfidave që kemi”.

“Sfidës të jashtëzakonshme të kthimit në shtëpi të të gjitha familjeve që ende presin në shtëpitë me qira, kthimin në shkolla të reja shumë më të mira se ato të dëmtuara nga tërmeti; daljes përfundimtare nga tuneli i pandemisë dhe pastaj të githa sfidat e tjera për ta çuar drejtësinë përpara; arsimin dhe shëndetësinë përpara, ekonominë përpara duke fuqizuar turizmin dhe agroturizmin, duke rritur punësimin dhe duke krijuar vende të reja pune të paguara më mirë”, tha Rama.

Rama tha se “nëse e krahasojmë Cërrikun sot me dje s’ka asnjë krahasim, por nëse e krahasojmë Cërrikun sot me atë të së ardhmes të fëmijëve që lindin e rriten, ne duhet të vazhdojmë të luftojmë çdo ditë”.

“Pashë me kënaqësi disa fytyra të njohura që i kam parë bashkë dhe të ndarë. Historia e afërt e kësaj bashkie tregon se kur ndahemi humbasin të gjithë, dhe fitojnë ata që fitojnë për inetersat e tyre dhe klanet e tyre, humbet i gjithë komuniteti. Ne, pavarësisht të metave e gabimeve tona e dimë shumë mirë jo vetëm se ku duam të shkojmë, por edhe se si shkohet. Ndërkohë që të tjerët asnjëherë nuk kanë dhënë asnjë provë tjetër veçse sa herë ju është dhënë mundësia e kanë kthyer mbrapsht Shqipërinë dhe çdo punë”, shtoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.