Nga drejtësia, te reduktimi i varfërisë dhe çështja e pronave/ Rama: Jemi përballur sy më sy me sfidat e bartura ndër vite

TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ “Ne kemi zgjedhur të përballemi sy më sy me të gjitha ato sfida të bartura me vite të tëra të cilave për shkak të udhëheqjes së gabuar Shqipëria i është shmangur si drejtësia, reduktimi i varfërisë, çështjet e pronave e me radhë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me të rinj në Gramsh.

“Duke ardhur për këtu përmes një rruge kaq të mirë dhe aq të shpejt mua më kujtohet jo shumë vite më parë, pro deri përpara disa vitesh, se për të ardhur në Gramsh ishte një torturë e vërtetë”, tha Rama.

Sot, vijoi ai, “Gramshi është shumë më afër Elbasanit, dhe Elbasani më afër Tiranës, dhe ne jemi shumë më larg të shkuarës dhe shumë më afër të ardhmes”.

“Por mos e harroni për asnjë moment se sa më lart të ngjitesh aq më e vështirë bëhet ngjitja, aq më shumë sprovohet karakteri, durimi, vendosmëria, kurajoja dhe besimi. Thonë se kur nisesh drejt një maje, sa më afër majës, aq më e largët duke maja. Sepse këmbët fillojnë e japin shenja lodhjeje, sepse zemra rreh më fort, sepse mendja fillon e të thotë: ndalu, ulu, pusho, kthehu mbrapa, mjaft deri këtu, ose më keq akoma, të thotë shiko mos ka ndonjë rrugë tjetër, ndonjë mundësi për t’i rënë më shkurt”, tha Rama, duke iu drejtuar të rinjve.

Në këto momente, tha ai, “njeriu, komuniteti, populli, një komb i tërë, sprovohet për të fituar apo për të humbur, për t’ia dalë apo dështuar”.

“Në historinë tonë ka ndodhur disa herë që pikërisht kur era është bërë më e fortë, atëherë kemi zgjedhur t’i shmangemi përballjes me sfidat e mëdha dhe t’i biem shkurt dhe në fakt na ka rënë aq gjatë dhe e kemi paguar aq shtrenjtë, saqë koha e humbur në historinë tonë është shumë e gjatë nëse i lidh gjithë fazat e saj. Shqiptarët rendën pas Haxhi Qamilit për t’i rënë shkurt. Në një tjetër moment, rendën pas Vehbiut, Sudes, Xhaferrit dhe e paguan shumë shtrenjtë”, tha Rama.

Ne, vijoi ai, “kemi zgjedhur të përballemi sy më sy me të gjitha ato sfida të bartura me vite të tëra të cilave për shkak të udhëheqjes së gabuar Shqipëria i është shmangur”.

“I është shmangur sfidës për t’u përballur me drejtësinë duke reformuar sistemin; për tu përballur me varfërinë duke shkuar te rrënjët e problemit, duke i dhënë fund vjedhjes së energjisë, të ujit, grabitjes së pronave, zaptimeve e me radhë. Sot Shqipëria nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte para 6-7 vitesh, por nuk diskutohet se Shqipëria është larg së qeni ajo që duhet të jetë për të gjithë fëmijët e vajzat e këtij vendi. Dhe zgjedhja është shumë e qartë: do të vazhdojmë të ngjitemi për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, apo do të ndalemi dhe duke dashur ti biem shkurt do t’i biem po aq gjatë?”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se, “nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria punon, prodhon, eksporton produktet bujqësore sot, shumë më tepër se vite më parë”.

“Shqipëria ndërton të ardhmen e vet në turizëm. Shkon përpara përmes punës dhe
e di se vetëm puna të shpërblen”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.