“Në programin e PD-së nuk gjen si do sigurohen të ardhurat”/ Denaj: Pagat në sistemin shëndetësor shkojnë deri në 1200 USD

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se “programi i PS-së është taksim zero për një pjesë të konsiderueshme të bizneseve dhe një pjesë të madhe të shqiptarëve si dhe reforma që mbështesin rritjen e formalitetit me impakt në rritjen e ekonomisë së vendit”.

Gjatë një interviste në media, Denaj theksoi se shërbimi online për qytetarët dhe biznesin është tashmë një realitet që u ka shkurtuar kohë, kosto dhe ka eliminuar veprimtaritë burokratike për shumë shërbime administrative.

Në raport me taksimin, shqiptarët janë të qartë për programin e PS-së, vijoi Denaj. “Politikat tona adresojnë oportunitetet për të zhvilluar biznesin”, tha ajo.

“Pandemia na dha një goditje ekonomike por na vuri në pozita pune që disa gjëra t’i mendojmë edhe ndryshe për perspektivën e zhvillimit. Janë hartuar disa ligje dhe po punojmë me disa sisteme që e ndihmojë formalizimin dhe monitorimin e bizneseve pa qenë nevoja të shkojmë me kontrollorët për të prishur atë zinxhir komunikimi që ndonjëherë e bën edhe biznesin të jetë jo i vullnetshëm për të paguar taksat. Nëse sistemet e monitorimit e kontrollit, janë më të afta dhe inteligjente edhe biznesi kupton se ka ardhur koha për të paguar taksat”, u shpreh Denaj.

“Sot pagat për një sërë kategorish janë rritur në nivele të kënaqshme. Po të shikosh programin e PD nuk mbështetesh dot në mënyrën sesi do t’i sigurojnë të ardhurat. Ndryshe nga ne që sot kemi paga buxhetorësh të sistemit shëndetësor që shkojnë në 1200 USD, kemi edukatorët me paga që shkojnë 600 në 700 USD. Ndërkohë në 4 vitet e ardhshme kemi marrë përsipër të rrisim pagat edhe për këto kategori por edhe për shtresa të tjera në administratë“- theksoi Denaj, ndërsa shtoi se përjashtim do të bënin vetëm ministrat dhe deputetët.

“Për Policinë e Shtetit paga është rritur në 8 vitet e fundit me 46 %. I kemi rritur në 36 % për një masë të konsiderueshme të infermierëve dhe laborantëve dhe gati në 63 % për mjekët dhe këtë e bëmë në një vit aq të vështirë të pandemisë dhe rritjen e pagave do ta vazhdojmë“, tha ajo.

Denaj theksoi gjithashtu se, “do të rrisim në 40 mijë lekë pagën minimale me zero taksim dhe ulje të taksës progresive nga 23 % në 13 %”.

“Këto janë minuse për buxhetin, por janë pjesë e rritjes së buxhetit familjar për konsumin. Vijojmë me tre skema të nxitjes së investimeve. 5 mijë euro për çdo emigrant që investon, garanci sovrane për të rinjtë në sektorin inovativ si dhe aftësim profesional përmes trajnimeve të subvencionuara. Të gjtha këto janë me impakt në rritjen e punësimit dhe të ekonomisë së vendit që parashikohet në nivelin 5 % këtë vit”, tha Denaj.

Denaj vuri në dukje trendin në rritje të investimeve të huaja, ku dominojnë, siç tha ajo, investitorët amerikanë në vepra strategjike, por nuk mbeten pas edhe investitorë të tjerë, ndërsa hov po marrin edhe sipërmarrjet private shqiptare në të gjithë sektorët si dhe investime të rëndësishme në vepra publike. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.