Në mandatin e tretë, do të bëjmë më shumë për Shqipërinë se në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në mandatin e tretë kjo mazhorancë qeverisëse do të bëjë më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët sesa është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku përfshirë edhe dy mandatet tona.

“Përpara 8 vitesh, në fushatën e parë fituese kam ardhur në Gramsh e ju kam thënë që ne do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë sesa bënë të gjithë të tjerët për Gramshin, në të gjitha vitet bashkë dhe e mbajta fjalën”, tha Rama gatë një takimi në Gramsh.

Kam ardhur në 2017, vijoi ai, dhe ju kam thënë do bëjmë edhe më shumë.

“Sot po ju them ju dhe të gjithë shqiptarëve se mandati i tretë nuk është për mua. Ky mandat i tretë, duke u nisur nga bazat që kemi hedhur, duke u nisur nga ngrehina që kemi lartësuar në të gjithë sektorët, është mandati ku ne do të bëjmë më shumë për Shqipërinë, për shqiptarët e Gramshin, sesa në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku, përfshirë edhe dy mandatet tona”, tha Rama.

Megjithëse, vijoi Kryeministri, ne nuk vijmë nga dy mandate, por një mandat dhe një luftë që vazhdon edhe sot e të cilën ne do ta fitojmë, qoftë me plagët e tërmetit, qoftë me armikun e padukshëm.

“Është mandati që ne do të bëjmë më shumë për Shqipërinë e Gramshin”, deklaroi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.