Nafta falas për Bujqësinë/ Procesi i pajisjes së fermerëve me kartën e përfitimit zgjerohet në Lushnjë, Shkodër, Korçë

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor në 12 qarqet e vendit, po vijojnë procesin e pajisjes së fermerëve me kartën e naftës falas për bujqësinë, menjëherë pas shpalljes së tyre fitues të skemës së mbështetjes me naftë pa taksa.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bër të ditur se “pas verifikimit të dokumentacionit të vetëdeklaruar, edhe fermerët e Lushnjës, Shkodrës dhe Korçës po pajisen me kartën e naftës”.

“Kjo masë mbështetëse do të reduktojë ndjeshëm kostot e tyre të prodhimit e për pasojë dhe çmimet për konsumatorin”, shprehet Ekonomi.

Sipas saj, fermerët shkodranë janë dëshmitarë të realizimit të një prej masave më të rëndësishme të qeverisë, skema e naftës pa taksa.

“Përfituesit e skemës, po tërheqin në zyrat e AREB kartën me anë të së cilës përfitojnë sasi nafte në bazë të sipërfaqes që disponojnë. Procesi vijon”, thekson Ekonomi.

Ekonomi thekson se, me anë të kartës, fermerët mund të furnizohen me sasinë e naftës që kanë përfituar, në pikat e karburantit afër tyre.

Në fazën e parë të aplikimit, në skemën e mbështetjes naftë pa taksa për bujqësinë, 15 janar – 30 mars 2021, aplikuan mbi 20 mijë fermerë në shkallë vendi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.