Miratohet udhëzuesi i Komisionit të Qendrës së Votimit

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Komisioni Rregullator në mbledhjen e ditës së sotme miratoi një ndryshim në vendimin nr. 11, datë 25.03.2021 “Për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit të KQV-së dhe zhvillimit të zgjedhjeve në QV”.

Gjithashtu, Komisioni Rregullator miratoi udhëzuesin e Komisionit të Qendrës së Votimit.

Udhëzuesi synon t’ju vijë në ndihmë anëtarëve të KQV-së ku njohja, kuptimi dhe përvetësimi i procedurave të parashkuara në të, do të ndikojë në ngritjen e nivelit profesional e administrues të anëtarëve të KQV-së, zgjidhjen me profesionalizëm, paanshmëri dhe efektivitet të të gjitha problematikave që mund të krijohen gjatë ushtrimit të detyrës.

Udhëzuesi synon gjithashtu, miradministrimin e procesit zgjedhor dhe zbatimin ligjor të detyrave funksionale nga ana e komisionerëve të QV-ve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera nënligjore të KQZ-së.

Komisioni Rregullator vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimit “Për rregullat proceduriale për procesin e votimit dhe numërimit elektronik nëpërmjet pajisjes elektronike të votimit dhe numërimit (PEVM) në QV- të e ZAZ-së nr. 40 në Qarkun Tiranë, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 Prill 2021”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.