Miratohen dy aktet normative për furnizimin me vaksinën antikovid Coronavac

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nën drejtimin e kryetarit Enver Roshi, miratoi sot dy akte normative që kanë të bëjnë për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën “Coronavac”, të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës.

Dy aktet normative të miratuara janë “Miratimi i tekstit të marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Senayi Ve Ticaret”, A.S, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid – 19 (Vero Cell) CORONAVAC, të krijuar nga Sinovac Life Science CO, LTD dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës” dhe “Miratimi i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Senayi Ve Ticaret”, A.S, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid – 19 (Vero Cell) CORONAVAC, të krijuar nga Sinovac Life Science CO, LTD dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës.

Të dyja aktet normative të paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë i parashtroi para komisionit, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, për të cilat shpjegoi paraprakisht se të dyja marrëveshjet janë të lidhura, pasi bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje.

Akti i parë është për miratimin e tekstit, i dyti është për miratimin e marrëveshjes.

Zv.ministrja Rakacolli sqaroi më tej se, me qëllim parandalimin e infektimit me Sars-Cov-2, qeveria shqiptare ka bërë përpjekjet maksimale për sigurimin e vaksinave antikovid. Aktualisht është furnizuar nga kompania “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, të cilat u alokuan nëpërmjet mekanizmit COVAX dhe nëpërmjet marrëveshjes së firmosur me “Pfizer”.

Shqipëria i ka hapur rrugë përdorimit në popullatë të vaksinave që kanë marrë një aprovim për përdorim në popullatë nga EMA dhe FDA ose nga trupa të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksinën.

Zhvillimet në dinamikë të procesit të vaksinimit në mbarë botën kanë bërë që shumë vende të kenë vëmendje të shtuar edhe ndaj vaksinave të tjera të prodhuara në vende si Republika Popullore e Kinës apo Federata Ruse.

“Qëllimi i këtyre projekt-akteve është miratimi, i marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen llac; Sanayi ve Ticaret”, A.S. për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd. dhe të prodhuara në Republikën Popullore të Kinës”, shtoi Rakacolli.

Edhe dy relatoret e projet-akteve Edlira Bode dhe Klodiana Spahiu shprehën dakortësinë e tyre dhe ftuan anëtarët t’i miratojnë marrëveshjet në fjalë.

Në përfundim anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi të dy marrëveshjet. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.