Meta: SPAK të hetojë vjedhjen e të dhënave personale

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot nga Pogradeci se i ka kërkuar SPAK-ut që të hetojë vjedhjen e të dhënave personale nga PS, denoncuar një ditë më parë nga PD.

Në një prononcim për mediet, Meta tha se “jam sot këtu për të bërë publike kërkesën e Presidentit të Republikës drejtuar SPAK dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen më të fundit, skandaloze, atë të keqpërdorimit dhe të vjedhjes nga PS në çdo lloj forme që kjo ka ndodhur të të dhënave personale të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të dhëna që mbrohen nga ligji”, tha ai.

Ai tha se “është një shkelje e papranueshme dhe e poshtër e çdo norme dhe morali për të vendosur bazën e të dhënave personale të qytetarëve në dispozicion vetëm të një force politike, të asaj që ka kapur shtetin dhe që nuk pranon të lërë pushtetin dhe për këtë arsye përdor forma të tilla të poshtra që u bën presion qytetarëve dhe u keqpërdor të dhënat për intimidimin për frikësimin e tyre”.

Meta tha se “koha kur shqiptarët kishin frikë nga qeveria ka mbaruar në 2 mars. Tani fillon koha kur qeveria që do të vijë, jo kjo që ka ikur, se për më tepër ka ikur edhe nga mendja pasi shkel vetëm ligjin, po vjen koha që qeveritë që do të vijnë do të kenë frikë nga populli dhe askush nuk do të cenojë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve dhe askush nuk do të mund t’i frikësojë dhe intimidojë me qëllim që t’i shtypë dhe t’i zbojë nga Shqipëria për t’i zëvendësuar pastaj me qytetarë të Bangladeshit apo vendeve të tjera të cilat nuk kanë pretendime për liri dhe demokraci”.

Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj tha dje se në selinë e PS janë vendosur kompjuterë dhe serverë që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania për qëllime zgjedhore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas kësaj deklarata duke theksuar se Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Sipas Ballës, “kjo punë bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamuj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve, aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja”.

Edhe AKSHI reagoi ndaj kësaj akuze të PD duke theksuar se këto janë të pabaza dhe se kjo platformë në asnjë moment nuk ruan, administron apo përpunon të dhënat e qytetarëve, por është një urë e qendërzuar komunikimi mes shtetit dhe qytetarit e biznesit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.