“Mbledhja e parë pa Finon”/ Anëtarët e Komisionit të Ligjeve, kolazh me foto në nderim të ish-kolegut

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Mbledhja e radhës e Komisionit për Çështjet Ligjore, ka filluar ndryshe nga herët e tjera sot, në mungesë të Bashkim Finos.

Në nisje të mbledhjes së komisionit, kryetari Ulsi Manja bëri një homazh për punën e deputetit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë si pasojë e Covid-19.

“Sot në këtë mbledhje komisioni mungon njëri prej nesh, një njeri i pazëvendësueshëm për gjithë kontributin e tij në vitet e vështira të Shqipërisë, por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe posaçërisht anëtar i Komisionit të Ligjeve. Mungon Bashkim Fino!”, u shpreh i përlotur Manja.

“Fino, në radhë të parë i mungon familjarëve të tij, por sigurisht edhe miqve edhe ne kolegëve. Unë jam i bindur që Bashkimi është bashkë me ne, mbase na vëzhgon nga lart, na kritikon ne kolegëve të tij që të ecim më shpejt. Jam i bindur që do t’ja dalim edhe për Bashkimin”, u shpreh Manja.

Më tej në kujtim dhe në nderim të deputetit Bashkim Fino, u shfaq një videogaleri me disa prej momenteve nga veprimtaria parlamentare e tij, e përgatitur nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve.

“Sot është mbledhja e parë pa ty. Mençuria dhe përpikmëria jote do të na mungojë përgjithmonë… Ike shpejt mik i dashur… Për këdo që pati fatin të të njohë e të punojë me ty, do të mbetesh një leksion jete… Kështu të qeshur do të të kujtojmë kurdoherë… Dritë shpirti dhe i paharruar kujtimi yt Bashkim Fino”, shkruhet në videon me kolazhin e fotove.

Edhe deputeti i PS, Alket Hyseni ka përkujtuar Bashkim Finon, duke shpërndarë në rrjetet sociale videon me kolazhin e fotove.

“I paharruar vëllai, shoku dhe kolegu ynë i rrallë! Burra si ty i lindin Shqipërisë një herë në disa dekada. R.I.P Bashkim Fino!”, shprehet Hyseni.

Me një karrierë 30-vjeçare në politikë, Bashkim Fino, simbol shprese si ish-kryeministër në qeverinë e Pajtimit Kombëtar në ’97-ën, humbi betejën me COVID-19 pak ditë më parë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.