Mbërrijnë 7020 doza të tjera vaksinash Pfizer/ Shqipëria po del nga tuneli i gjatë i pandemisë, për t’iu kthyer me të gjitha fuqitë jetës

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e sotme se kanë mbërritur në vend edhe 7020 doza të tjera vaksinash “Pfizer”, me të cilat do të vijojë vaksinimi antikovid.

“7020 doza të tjera ‘Pfizer’ mbërrijnë në Shqipëri; të tjera doza ‘Pfizer’, ‘AstraZeneca’, ‘Sinovac’ e ‘Sputnik’ do të vijojnë të mbërrijnë dhe ne nuk do të ndalemi asnjë ditë, deri në fund”, u shpreh Rama.

“Ajo që dukej e pamundur deri para vetëm dy muajsh po ndodh para syve tanë çdo ditë! Shqiptarët po vaksinohen masivisht dhe Shqipëria po del nga tuneli i gjatë i pandemisë, për t’iu kthyer me të gjitha fuqitë jetës, e për të rritur ekonominë e saj duke filluar nga sezoni turistik e vijuar me paketën më të madhe në histori të investimeve të huaja, po edhe vendase, private e publike”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Më e mira është e gjitha përpara nesh, së bashku do ta bëjmë Shqipërinë të Ardhmen tonë”, tha Rama.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit në vend janë kryer mbi 260,000 vaksinime, ndërsa aktualisht është hapur fasha 60-69 vjeç, duke filluar nga mosha më e madhe, në zbritje deri në 65 vjeç. Ndërsa për grupmoshën 60-65 vjeç, përparësi do të kenë të sëmurët kronikë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.