Mandati i tretë për Shqipërinë/ “Nuk e kam atë të metë që kur mbarojnë zgjedhjet t’i kthej kurrizin njerëzve”

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shpjegoi sot para qytetarëve të Cërrikut se mandati i tretë i PS është për Shqipërinë.

“Është për të gjitha ato gjëra që dhe unë njëlloj si ju e di që janë shqetësimet tuaja, sepse mes shumë të metave të mia nuk e kam atë të metë që kur mbarojnë zgjedhjet t’i kthej kurrizin njerëzve”, tha Rama.

Përkundrazi, vuri theksin ai, “me shumë krenari mund t’ju them se jam kryeministri që e kam shëtitur Shqipërinë jo për turizëm, por për punë, më shumë se të gjithë kryeministrat të marrë së bashku që kur është krijuar shteti shqiptar”.

“Ashtu sikundër jam kryeministri që ju jam përgjigjur të gjithëve edhe në telefon, sikundër jam kryeministri që kam ndërtuar një sistem të tërë, platformën e-Albania që njerëzit të kapërcejnë hallkat e burokracisë, të shmangin ata që iu dalin përpara në emër të shtetit dhe i pengojnë që të marrin shërbimin e të gjejnë të drejtën. Sigurisht ka ende shumë për të bërë. Por sa janë ata sot që falë kontaktit direkt me shtetin përmes telefonit kanë marrë shërbimin”, deklaroi Rama.

Unë, vijoi ai, dua që e gjithë marrëdhënia e qytetarit me shtetin të kalojë përmes telefonit.

“Është e mundur dhe ne do ta bëjmë. Ne nuk i përdorim telefonat për të pyetur me kë je, apo hajde voto për ne”, tha ai.

Ne, vijoi Rama nuk do të lejojmë që ajo që kemi ngritur me kaq shumë mund të cenohet, jo më të shembet. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.