“Kush fiton më shumë, paguan më shumë”/ Biznesi i vogël, asnjë taksë deri në vitin 2029

TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne nuk do heqim dorë nga parimi se kush fiton më shumë, paguan më shumë, pasi ne nuk pranojmë që vendi të kthehet mbrapsht te taksa e sheshtë”.

Nga Cërriku, Kryeministri Rama u ndal te mbështetja e qeverisë për biznesin e vogël, i cili krijon punë për vete dhe të tjerët.

“Ne i shohim ata si aleatët tanë më të besueshëm dhe më të fortë, ndaj deri në 2029-ën ata nuk do të paguajnë asnjë taksë, por do të mbështeten prej nesh që të vazhdojnë të krijojnë punë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ne e mbështesim biznesin e madh, por kurrë nuk do heqim dorë nga parimi se kush fiton më shumë, paguan më shumë”.

“Ne nuk pranojmë që vendi të kthehet mbrapsht te taksa e sheshtë. Në çdo fushatë poltikanët thonë se do ulin taksat. Ne nuk do ta ulim taksën për biznesin e madh, i cili do të vazhdojë të paguajë 15 % dhe të jetë shumë i nderuar si kontributor për të ndërtuar më shumë shkolla, kopshte, qendra shëndetësore”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.