Kryemadhi në Kamzë: Bashkia e 5 më e madhe në vend meriton një spital të madh

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me qytetarë të Kamzës.

Kryemadhi tha se, “edhe këto 13 ditë të mos lodhemi duke punuar çdo ditë dhe minutë për të shkuar në 25 prill në kutinë e votimit dhe për të votuar ndryshimin, pasi ajo që është e domosdoshme për të gjithë qytetarët është jo vetëm ndryshimi, por është e gjithë e ardhmja e fëmijëve tanë, fëmijëve të shqiptarëve, e ardhmja e Shqipërinë tonë”.

“Nga data e sotme na ndajnë edhe 13 ditë nga 25 prilli. Si sot 2 javë, numëruesit e LSI do të jenë duke numëruar votat e qytetarëve, të cilat do të jenë siç është ky flamur, kuq në kutitë e votimit, ku i japin votën LSI-së”, tha Kryemadhi.

“Bashkia e Kamzës është bashkia e 5 në rang vendi për nga numri i popullsisë, shtrirja e saj, por edhe nga intensiteti i angazhimit jo vetëm të mungesës që ka ekonomia, infrastruktura, sistemi i energjisë, por një nga problemet kryesore që ka është mungesa e spitalit”, theksoi Kryemadhi.

“Ne si LSI e mbajmë fjalën. Jo vetëm që do ta çojmë deri në fund angazhimin e të gjithë grupit të deputetëve të LSI në Kamzë, pasi është detyrë qytetare dhe politike dhe mbi të gjitha është humanizëm, që një nga bashkitë më të mëdha të Shqipërisë, të ketë një nga spitalet më të mëdha, pasi është një nga pikat kryesore të lidhjes së veriut të Shqipërisë me Tiranën dhe më tej”, tha ajo.

“Shqipëria është këtu. Emigracioni nuk është më për shqiptarët. Emigracioni ishte një instrument për 30 vite më parë, por ne duhet t’i themi politikës së vjetër stop dhe për të krijuar hapësira të reja për të rinjtë dhe të rejat që të bëjnë një politikë të re, një politikë evropiane, një politikë gjithëpërfshirëse, me njerëz të rinj, me emra të rinj, me fytyra të reja dhe mbi të gjitha me të rinjtë dhe të rejat tanë të mrekullueshëm, të cilët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, duan të ndërtojnë familjen e tyre në Shqipëri, duan të kenë një jetë të lumtur në Shqipëri, sepse Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Shqipëria është shtëpia jonë. Shqipëria është shtëpia e fëmijëve të shqiptarëve. Shqipëria është një vend i bekuar”, u shpreh Kryemadhi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.