“Kemi përballë një konglomerat forcash dhe partish”/ Rruga jonë të sigurojmë shumicën e mjaftueshme për të qeverisur

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, PS ka përballë një konglomerat forcash dhe partish, të cilat i lidh bashkë një betim: Të heqim qafe Edi Ramën.

I pyetur në një intervistë televizive për fushatën, Rama tha se, “unë nuk shoh asnjë rrugë tjetër përveçse ne të sigurojmë një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur dhe për të vazhduar të bëjmë gjërat që duhet të bëjmë, shumë gjëra, të cilat u ngadalësuan apo u bllokuan për shkak të futjes në mes të tërmetit dhe pandemisë dhe shumë gjëra të tjera që janë mundësuar tanimë mbi bazat që ne kemi vendosur”.

Në lidhje me forca të ndërmjetme në këto zgjedhje Rama theksoi se nuk sheh, pasi sipas tij të gjitha partitë janë bërë bashkë për të larguar Partinë Socialiste nga qeveria.

“Është një hipotezë teorike dhe më duket jorealiste dhe është e kotë ta diskutojmë, sepse po ju them përsëri se ne jemi përballë një konglomerati, i cili është një konglomerat i krijuar me oportunizmin e të qenit të gjithë bashkë për të hequr Edi Ramën edhe për të larguar PS nga qeveria. Nuk ka forca të ndërmjetme, por janë forca që rrëmojnë në një drejtim. Unë nuk shoh forca të ndërmjetme”, tha ai./j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.