Kantieret e infrastrukturës, portet dhe aeroportet/ Ekonomia jonë do të pësojë një transformim substancial

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, kjo qeveri ka financuar për infrastrukturën më shumë sesa qeveritë paraardhëse.

I pyetur në një intervistë televizive në lidhje me investimet në infrastrukturë, Rama tha se, “së pari ne nuk kemi bërë më pak rrugë, porte dhe aeroporte”.

“E para, ne kemi financuar për infrastrukturën dhe ky është një fakt lehtësisht i provueshëm më shumë sesa qeveritë paraardhëse dhe ne kemi financuar për rrugët e nisura prej qeverive paraardhëse më shumë se ç’kanë financuar ata për ato rrugë. Pra kanë qenë shumë rrugë të hapura, por të pafinancuara. Dhe faktikisht financimin për mbarimin e një pjese të madhe të tyre dhe vazhdimin e një pjese tjetër e kemi bërë ne”, u shpreh Rama.

“Së dyti ne kemi pasur edhe domosdoshmërinë që të dalim në tregjet e kapitaleve se na është dashur të përballemi me dy goditje shumë të mëdha që sigurisht e kanë rritur peshën e borxhit. Por njëkohësisht daljet në tregjet e kapitaleve kanë treguar që ne kemi kapacitet shumë solid për ta financuar borxhin”, tha Rama.

“E treta. Ne në pak ditë mbarojmë aeroportin e ri të Kukësit dhe ndërkohë jemi tani në fazën e startit pasi janë bërë gjithë proceset përgatitore për portin e ri turistik të Durrësit, një investim kolosal që do të sjellë një transformim të madh të ekonomisë dhe të hapësirës së punësimit. Kemi portin e ri turistik të Vlorës. Porti i ri turistik i Sarandës ka filluar, është në kantier. Në perspektivën e  afërt duam të hyjmë dhe në portin e Shëngjinit për ta transformuar në port turistik. Dhe janë dy porte të reja tregtare: Triporti në Vlorë, ku do të akomodohet dhe porti i peshkatarëve që do të ndërtohet dhe porti i ri detar i Durrësit”, theksoi Rama.

“Pra është një infrastrukturë e tërë së bashku me aeroportin e Vlorës dhe Sarandës. Të gjitha këto tani janë punë për të cilat është bërë e gjithë faza përgatitore. Pra janë faktikisht ose për pak ditë, do të anonçohet fillimi i punës konkrete për të ecur më tutje me hapjen e kantierit në portin e Durrësit. Për pak ditë mbaron kontrata për aeroportin e Vlorës. Dhe kanë qenë të gjitha procese përgatitore që janë procese jashtëzakonisht komplekse”, u shpreh Rama.

Së katërti, shtoi Rama, “ne kemi sot filluar projektet për dy investime shumë të mëdha në energji. Skavicën që tanimë e kemi në një marrëveshje me qeverinë amerikane dhe do ta ndërtojë një kompani e madhe amerikane dhe TEC-in e Vlorës, përsëri në një marrëveshje me një kompani të madhe amerikane. Pra janë të gjitha projekte që më bëjnë mua të them me plot gojën që ekonomia jonë do të pësojë një transformim substancial, për shkak të gjithë këtyre investimeve. Jo thjesht nga pikëpamja e parasë që do të injektohet në atë fazë që do të ndërtohen, që do të jetë paraja më e madhe e injektuar ndonjëherë në ekonominë shqiptare në harkun e një kohe 4-5-6 vjeçare, por edhe për efektet që do të ketë në ekonomi si rezultat i rritjes së turizmit, i rritjes së punësimit etj”.

“Çështja e papunësisë është një çështje që në këndvështrimin tim dhe në bazë të analizave të bëra lidhet shumë më tepër me pagën. Pra me cilësinë e vendit të punës përkundër pagës sesa me mungesën e vendeve të punës. Ne kemi vende pune sot që flasim të lira në të gjitha kompanitë. Problemi është që duke jetuar në mes të Europës, duke qenë një orë larg Gjermanisë, duke qenë një orë larg Italisë, duke qenë një orë larg Greqisë sigurisht që krahasimi është shumë shumë i fortë dhe patjetër që prirja e njerëzve është absolutisht e kuptueshme të jetë një prirje për të mos e ndjerë real, për të mos e ndjerë të kënaqshëm një vend pune me një pagë të ulët, në krahasim me pagat që merren në këto vende”, tha Rama.

Në lidhje me investimet, Rama tha se, “ne kemi vazhduar të investojmë në rrugën e Kombit”.

“Janë shumë para të investuara në Rrugën e Kombit. Flas për investimin e bërë nga ne. Flas për 7 ura të ndërtuara nga buxhati i shtetit nuk flas për koncesionin. Flas po ashtu për pjesën që lidh poshtë Rrugën e Kombit me rrugën hyrëse të Milot-Lezhës edhe më poshtë drejt Tiranës. Është bërë gjithë ajo ndërhyrje e madhe dhe është bërë prej nesh. Po ashtu plot e plot rrugë të tjera”, u shpreh ai.

“Edhe autostrada Durrës-Lushnje-Fier ka qenë në mes të rrugës është financuar masivisht nga ne dhe pjesa më e madhe e punës është bërë në periudhën tonë”, tha Rama, duke shtuar se, “rruga Elbasan Banjë është një rrugë e re komplet. Rruga tjetër e Gramshit është e re komplet”.

“Nëse flasim për akse të mëdha, ne kemi një aks të madh të rëndësishëm që është një aks që duhet ndërtuar që është aksi i Korridorit Blu, duke filluar nga Muriqani në Milot dhe për të ardhur poshtë deri në Thumanë, pastaj Kashar Rrogozhnë- Fier. Ne e kemi nisur këtë proces. Bëmë edhe një garë ndërkombëtare për këtë. Nuk finalizuam kontratën me kompaninë sepse nuk mbroheshin si duhet interesat publike. Dhe është një proces që do të vazhdojë në mandatin e tretë”, tha Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.