Heqja e taksave për 10 vjet dhe ulja e TVSH për investimet në hoteleri-turizëm solli investitorët e huaj

TIRANË, 12 prill/ATSH/  Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se heqja e taksave për 10 vjet dhe ulja e TVSH me 6% për investimet në hoteleri-turizëm ka sjellë investitorët e huaj.

Në një intervistë televizive Kryeministri Rama tha se “ne kemi ulur TVSH për gjithë sektorin IT dhe kjo ka sjellë rritje të investimeve dhe rritje të vendeve të punës dhe me paga shumë të mira”.

“Ne kemi pasur në fillim një qasje për ta përgjysmuar taksën për biznesin e vogël dhe e përgjysmuam, pastaj kemi hyrë në një luftë kundër informalitetit. Më pas kur kemi parë që kemi krijuar mundësi të reja dhe kemi një biznes të vogël të formalizuar në një masë të konsiderueshme kemi vendosur përfundimisht ta heqim edhe taksën edhe TVSH  për të gjithë biznesin që bën xhiro deri në 100 mijë dollarë dhe ta heqim taksën për të gjithë biznesin që bën xhiro deri në 140 mijë dollarë. Kjo është diçka që nuk mund as të imagjinohej deri pak vite më parë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ne kemi rritur të ardhurat në raport me prodhimin e përgjithshëm me 27% nga 22-23% që ishin dhe nëse marrim edhe periudhën e pandemisë atëherë unë s’mund të them asgjë tjetër vetëm që janë ulur”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.