Gjonaj: Kemi bërë shumë për titujt e pronësisë, vetëm në njësinë 7 janë kryer 70 % e legalizimeve

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, theksoi sot se “një nga sfidat e Partisë Socialiste për mandatin e tretë është konkludimi i reformës në drejtësi, si një nga reformat më të rëndësishme, si një ndër reformat që do të sjellë ndryshim tërësor vendit tonë”.

Në një intervistë televizive Gjonaj tha se “me ngritjen e një sistemi të ri drejtësie, por edhe me ndryshimet ligjore që ne kemi miratuar në muajin mars të këtij viti ne synojmë që t’i japim mundësinë të gjithë qytetarëve që në kohë të shkurtër të marrin një vendim të drejtë, të pakorruptuar dhe pa dyshim që të mund evadohen sa më shpejt të gjitha dosjet që presin në Gjykatën e Lartë  apo në gjykatat më të ulëta që presin me vite”.

“Këto ndryshime që ne kemi miratuar së fundmi  padyshim që do të japin gjithë energjinë  sistemit të drejtësisë duke mbajtur në konsideratë një sërë problematikash që kanë ardhur për shkak të vakancave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë larguar nga Vetingu”, – tha Gjonaj.

Më tej Gjonaj u shpreh se “pavarësisht se ne kemi kaluar dy mandate nuk e ndjejmë mbi kurrizin tonë 8-vjeçarin sepse na duket si ditë e parë dhe jemi të përkushtuar për të punuar për njerëzit dhe për të pasur në qendër të programit tonë vetëm qytetarët”.

“Qytetarët kanë motivim gjithashtu edhe në takimet që kam kryer, të cilat nuk kanë qenë të pakta po zhvillojmë disa kënde fjalësh ku vetë qytetarët ngrenë problematika, bëjnë pyetje, sugjerime, të cilat i çmoj se janë më shumë vlerë dhe jo vetëm që shikon pjesën e realitetit por nga ana tjetër bëhen pjesë e programit tonë sa i përket zgjidhjes së problematikave”, tha Gjonaj.

“Nga të gjitha takimet me qytetarët në terren që kemi zhvilluar me ekipin shumë të mirë të strukturës së Partisë Socialiste në njësinë 7, duke filluar nga kryetari i partisë, deri tek anëtari më i thjeshtë, shikoj një mbështetje të jashtëzakonshme që i japin PS-së”, – tha Gjonaj.

Lidhur me legalizimet, Gjonaj tha se “jo vetëm në njësinë 7, por në gjithë territorin e vendit është bërë shumë për legalizimet dhe fitimin e titujve të pronësisë sepse tashmë kemi ndërmarrë një reformë shumë të rëndësishme e cila jo vetëm ka shmangur sorollatjet e qytetarëve nga një zyrë në një zyrë tjetër përsa kohë që tani Hipoteka dhe ALUIZNI janë në një zyrë të vetme, që është Agjencia e Kadastrës që i jep zgjidhje shumë problematikave të njerëzve”.

“E dyta, ka të bëjë me pjesën e sistemit të dixhitalizimit të shërbimeve edhe për ofrimin e shërbimeve të legalizimit, por ajo që unë shikoj tek njësia 7 është se nëse para 9 vjetësh këto tituj pronësie, legalizimet kanë qenë pothuajse 0 % tashmë janë kryer 70 % e legalizimeve në gjithë njësinë 7”, u shpreh Gjonaj.

“Reforma e titujve të pronësisë që ndërmorëm ne që në mandatin e dytë ka filluar mbi bazën e gjithë problematikave që janë evidentuar për pjesën e certifikatës së pronësisë, por edhe gjithë tokës. Kjo reformë dhe që tashmë është në fuqi me gjithë kuadrin ligjor ka qenë për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë të gjitha problemeve”, – theksoi Gjonaj.

Ashtu siç kemi treguar në këto 8 vjet, vijoi Gjonaj, duke përfunduar një sërë procesesh përsa i përket legalizimeve apo edhe titujve të pronësisë ashtu edhe tokën bujqësore për fermerët do të vijojmë ta çojmë deri në fund në këtë 4-vjeçar.

“Nuk kam asnjë koment për opozitën kur deklaron që do të ndryshojë këtë reformë, sepse është e pamundur të imagjinohet dhe gjithë problematika që ka qenë deri tani ka ardhur nga copëza ligjesh që ata kanë miratuar vetëm për interesa personale dhe financiare”, – shtoi ajo.

Ministrja Gjonaj tha se “me disa vendime të Këshillit të Ministrave kemi arritur që të fillojmë kompensimin financiar të pronarëve”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.